Irani duket se po përshpejton rindërtimin e programit të tij të raketave balistike, megjithëse muajin e kaluar u rivendosën sanksionet e Kombeve të Bashkuara që ndalojnë shitjen dhe prodhimin e armëve në vend.
Sipas burimeve të inteligjencës evropiane, disa ngarkesa me hiperklorat natriumi, një përbërës kryesor për prodhimin e karburantit të ngurtë që përdoret në raketat me rreze të mesme veprimi, kanë mbërritur nga Kina në portin iranian Bandar Abbas që prej fundit të shtatorit, kur u aktivizua i ashtuquajturi mekanizëm “snapback”.
Ngarkesat, që nisën më 29 shtator, përmbajnë rreth 2.000 tonë hiperklorat natriumi, të blerë nga furnitorë kinezë pas përplasjes 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor. Bëhet fjalë për një përpjekje të vendosur të Teheranit për të rindërtuar rezervat e raketave të shteruara të Republikës Islamike. Disa prej anijeve të përfshira dhe kompanive kineze janë tashmë nën sanksione amerikane.
Këto dërgesa pasojnë rikthimin e sanksioneve të OKB-së, të cilat ishin në fuqi për më shumë se një dekadë dhe u rivendosën për shkak të shkeljeve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 (JCPOA).
Sipas sanksioneve të reja, Irani nuk lejohet të zhvillojë aktivitete që lidhen me raketa balistike të afta për të mbartur armë bërthamore, ndërsa shtetet anëtare të OKB-së duhet të ndalojnë furnizimin e vendit me materiale që mund të ndihmojnë në zhvillimin e tyre.
Kina dhe Rusia kundërshtuan rikthimin e sanksioneve, duke e cilësuar si një hap që “minon përpjekjet për zgjidhje diplomatike të çështjes bërthamore iraniane”.
Edhe pse hiperklorati i natriumit nuk është përmendur shprehimisht në dokumentet e OKB-së si material i ndaluar, ai është pararendës i hiperkloratit të amonit, një oksidues i regjistruar dhe i ndaluar që përdoret në raketat balistike. Kjo lë hapësirë që Kina të pretendojë se nuk ka shkelur asnjë ndalim ndërkombëtar, sipas ekspertëve.
CNN ka ndjekur lëvizjet e disa anijeve të ngarkuara me këtë material nga portet kineze drejt Iranit, duke përdorur të dhëna të monitorimit të flotës dhe postime në rrjetet sociale të ekuipazheve.
Disa prej këtyre anijeve kanë kryer disa udhëtime midis Kinës dhe Iranit që nga prilli. Nuk është e qartë nëse qeveria kineze ka dijeni për këto ngarkesa.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës tha për CNN se “nuk ishte i njohur me rastin konkret”, por theksoi se Pekini “zbaton rreptësisht kontrollet e eksporteve sipas detyrimeve ndërkombëtare dhe ligjeve të brendshme”.
Ekspertët thonë se pas luftës 12-ditore me Izraelin, kur ushtria izraelite goditi një të tretën e lançuesve të raketave tokë-tokë të Iranit, Teherani po përpiqet të rimbushë arsenalin e tij.
“Irani ka nevojë për shumë më tepër hiperklorat natriumi për të zëvendësuar raketat e përdorura dhe për të rritur prodhimin,” tha Jeffrey Leëis, drejtor i Programit të Mosshpërndarjes së Armëve Bërthamore të Azisë Lindore në Institutin Middlebury.
Kina ka qenë prej kohësh një aleate diplomatike dhe ekonomike e Iranit, duke kundërshtuar sanksionet “njëanëshe” të SHBA-së dhe duke blerë pjesën më të madhe të naftës iraniane, edhe pse nuk i ka raportuar zyrtarisht këto importe prej disa vitesh.
