PEKIN

Ministria e Jashtme e Kinës ka deklaruar se “Çdo plan për zgjidhjen e problemit të Palestinës duhet të marrë në konsideratë qëndrimin dhe pikëpamjen e palëve kryesore, kryesisht të Palestinës”.

Lidhur me të ashtuquajturin “Plani i paqes për Lindjen e Mesme” të SHBA-së, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying, pasi iu referua vendimeve të OKB-së për zgjidhjen e çështjes së Palestinës, në deklaratën me shkrim tha se vendimet e OKB-së për zgjidhjen me dy shtete dhe shkëmbimin e territoreve kanë një konsensus ndërkombëtar i cili duhet të respektohet.

“Çdo plan për zgjidhjen e problemit të Palestinës duhet të marrë në konsideratë qëndrimin dhe pikëpamjen e palëve kryesore, kryesisht të Palestinës”, tha zëdhënësi Hua.

Ai theksoi se plani në fjalë duhet të arrijë dakordim me dialog dhe bisedime të barabarta dhe se në çështjen e Palestinës duhet të gjendet sa më parë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e vazhdueshme.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një konferencë të përbashët për media mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë prezantuan për opinionin publik në mënyrë të njëanshme të ashtuquajturin “Plani i paqes për Lindjen e Mesme”.

Në kuadër të planit në fjalë Trump theksoi se Kudsi do të njihet si kryeqyteti i “pandarë” i Izraelit dhe gjithashtu pretendoi se plani ishte “shansi i fundit” për palestinezët dhe për një shtet të pavarur palestinez.

Netanyahu e cilësoi planin në fjalë “si një fitore shumë të madhe dhe historike për Izraelin”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb