Star Wars” me premierë të re, por pak yje amerikanë priten në tapetin e kuq…
Festivali i Kanës dhe Hollywood ndodhen tashmë në sfondin e konkurrencës në rritje të festivaleve të tjera si edhe të garës për çmimet Oscar.
Për edicionin e 71-të (8-19 maj), janë 21 filma në listë për ”Palmën e Artë” ndërkoh që marrin pjesë vetëm dy filma amerikanë “BlacKKKlansman” nga Spike Lee, prodhuar nga ”Universal” dhe “Under the Silver Lake” nga David Robert Mitchell, realizuar nga një prodhues i specializuar në kinemanë e pavarur.
Por jo filma nga Xavier Dolan si filmi i tij i parë hollivudian “Ma vie avec John F. Donovan” apo nga Damien Chazelle (“La La Land”) për filmin e tij mbi astronautin Neil Armstrong, me Ryan Gosling.
“Do të doja ta dërgoja në Kanë dhe e kam bërë. Por, disa zhvillime të minutës së fundit na bënë të mendojmë se nuk ishte rruga ideale”, theksoi Dolan për faqen e specializuar “Indie Wire”.
“Ne kemi vendosur ta prezantojmë diku tjetër”, theksoi ai, pa zbuluar qëllimet e tij.
“Rëndësia që ka marrë gara për Oscars nuk e ndihmon Kanën”, theksoi Andrew Pulver, gazetar për “The Guardian”, ndërkohë që Kana është tronditur nga fuqizimi i festivaleve si ai i Venecias dhe Torontos.
“Emrat e mëdhenj të kinemasë së pavarur, që dëshirojnë të jenë pjesë e garës për Oscars, preferojnë një premierë në gusht apo në shtator, pra në Venecia më shumë se në Kanë”, nënvizoi ai.
– Kritikë e pamëshirshme –
Fituesi i madh i çmimeve Oscars në fillim të vitit, “La Forme de l’eau” nga Guillermo del Toro kishte marrë tashmë ”Luanin e Artë” në Venecia. Një vit më herët ishte “La La Land” u pëlqye në festivalin e filmit Mostra duke siguruar për Emma Stone çmimin e interpretimit, para se të rrëmbente një Oscar.
“Përveç avantazheve të këtyre festivaleve, ato janë të hapura për publikun, veçanërisht Toronto ku nuk ka kompeticion, ndërkohë që Kana është më e përqendruar në industrinë e kinemasë”, nënvizoi C. Samuel Craig, profesor i kinemasë në “New York University”.
Të njohur për ashpërsinë e tyre, kritikët e Kanës mund të shfaqen në mënyrë të pamëshirme. Kështu ndodhi me amerikanët Gus Van Sant dhe Sean Penn, filmat e të cilëve u fishkëllyen gjatë edicioneve 2015-2016.
“Të jesh në Kanë është një rrezik sepse kërkohet zyrtarisht që filmi të mos jetë i projektuar në asnjë festival tjetër”, thekson Jason E. Squire, lektor i kinemasë në “USC Cinematic Arts” në Los Anxheles, raporton Atsh.
Por, vijon ai, festivali mbetet një platormë qendrore për të lançuar një film, veçanërisht filmat me metrazh të shkurtër. Pushteti i tij është të mundësojë zbulimin e një filmi të panjohur dhe ta mbështesë duke e zgjehdur, veçanërisht në seksione paralele.
– Juri e përzgjedhur –
Sidoqoftë, Kana mbetet një vitrinë e madhe, pasi magjia e tapetit të kuq ta imponon.
Këtë vit, është “Solo” vazhdimi i ”Star Wars” realizuar nga Ron Howard dhe prodhuar nga ”Disney” që do të prezantohet jashtë kompeticionit, disa ditë para daljes së tij.
Croisette ka pritur tashmë në të kaluarën dy episode të sagës dhe zgjodhi në 2006 filmin “Kodi i Da Vincit” nga i njëjti regjisor Ron Howard në hapje. Pritja e akullt, rezervuar për filmin ishte pa pasoja për fatin e tij në kinema.
“Problemi është që Kana ka nevojë për Hollywood-in më shumë se e kundërta”, thekson Gilles Jacob, ish-president i festivalit.
A do të mund ta ndajë pak më shumë Hollywood-in nga festivali mungesa e producentit, Harvey Weinstein, një i përhershëm i festivalit që ka rritur numrin e yjeve dhe filmave në Kanë?
“Mosha e artë e Weinstein nuk ndalet. Kanë qenë pak a shumë tre-katër vjet të vështira”, thekson Jerome Paillard, kreu i Tregut të filmit.
Për të zgjidhur ekuacionin mes glamurit dhe kërkesës artistike, mbetet festivali si një kartë favorite. Juria e tij, drejtohet këtë vit nga një hollivudiane e njohur, Cate Blanchett./ (Nga Aurelie Mayembo dhe Thomas Urbain)
