NGA FATMIRA NIKOLLI

Kisha katolike në trevat shqiptare nga shekulli XI deri në ditët e sotme”, me autor Dr. Dom Nikë Ukgjini është libri i promovuar dje në sallën “Konstandin Shpataraku” të Muzeut Historik Kombëtar. Libri në fjalë është mbështetur në burime historike relevante të periudhave të caktuara të popullit shqiptar dhe kishës katolike, si pjesë e pa ndashme e etnologjisë së tij.

“Një vend qendror në analizën e Dr. Ukgjinit zë në marrëdhëniet problematike të kishës katolike shqiptare me shtetin, si në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi, në Kosovë e Maqedoni, ku ka pasur historikisht komunitete e struktura kishtare katolike shqiptare. Autori ka gjetur ekuilibrin e duhur metodik për interpretimin e historisë, duke vendosur analizën e tij historike në shtratin e objektivitetit shkencor”, tha në fjalën e tij Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, i cili është dhe redaktori i këtij libri voluminoz prej 450 faqesh e me referenca të shumta.

Xhufi shtoi se, “Kalvari i kishës katolike shihet në dy pamjet e saj: në atë në Shqipërinë e Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës dhe në atë të Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve, të Tiso e Millosheviçit. Në këtë të fundit, vuajtjeve e persekutimeve që buronin nga vetë natyra e diktaturës, u shtoheshin edhe shtypja e represioni me bazë nacionale që kisha katolike në Mal të ZI, Kosovë e Maqedoni, e vuajti bashkë me të gjithë popullin shqiptar në ato treva”.

Sipas tij, këtu e ka bazën angazhimi i madh i Kishës Katolike dhe i klerikëve shqiptarë në afirmimin kombëtar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre civile, ku një moment kulmor e përfaqëson edhe memorandumi mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, drejtuar Lidhjes së Kombeve në 1930 nga Dom Gjon Bisaku, Dom Shtjefën Kurti e Dom Luigj Gashi, ku kleri katolik ngrihet në nivelin e përfaqësimit e mbrojtësit të interesave të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga besimi fetar. Më pas, drejtori i Muzeut Historik, Melsi Labi mes të tjerave tha: “Si të gjithë librat studimorë, edhe ky që kemi në dorë është një xhevahir në gjerdanin e botimeve albanologjike. Dr. Dom Nikë Ukgjini ka kapur disa aspekte dhe detaje shumë të rëndësishme të katolicizmit në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit. Ajo që është për t’u vlerësuar është se Dom Nika ka zbërthyer marrëdhënien e fesë katolike, pra të institucionit kishtar me pushtetin laik”. Sipas Labit, Ukgjini ka cituar disa dokumente origjinale, të cilat deri më sot nuk kanë qenë të hulumtuara, e që kanë të bëjnë specifikisht në marrëdhëniet e mbretit Ahmet Zogu me kishën katolike dhe ambasadën italiane apo atë të Vatikanit.

“Nga dokumentet del se kërkohej vendosja e autoriteteve me origjinë shqiptare në kishë. Por, trajtimi i librit është shumë më i gjerë se kaq, përderisa kap periudhën kohore nga shekulli XI e deri në ditët e sotme. Citimi i të gjithë autorëve të tjerë dhe i të gjithë burimeve kryesore nga ka dalë informacioni, trajtimi në këtë lloj mënyre e bën të veçantë dhe i jep një informacion më tepër historiografik të Shqipërisë si e tërë, por edhe historiografinë e kishës katolike në trevat shqiptare. Kështu që në këtë këndvështrim është jashtë mase me vlerë që dhe ne në muze të kemi kopjet e këtij libri”, shtoi Labi. Gjatë promovimit u theksua se në studim është nënvijëzuar fakti i bashkëpunimit dhe respektit reciprok që ka karakterizuar marrëdhëniet e kishës katolike me Komunitetin Mysliman apo me klerin ortodoks dhe se as në këtë rast autori nuk bie në qëndrime ahistorike e hipokrite.

“Kisha katolike nuk i shmangej karakterizimit të fortë, veçori dalluese e një populli, që ishte jashtëzakonisht krenar për traditat e veta kulturore dhe për identitetin e vet”, u tha gjatë prezantimit të librit. Ajo çfarë bie në sy te libri “Kisha katolike në trevat shqiptare nga shekulli XI deri në ditët e sotme” është trajtimi gjithëpërfshirës që i bëhet kësaj teme nga autori.

Libri u konsiderua si një përpjekje e rrallë, që trajton në tërësi problemin e Kishës Katolike, prej shekullit XI (shekull ky që përkon me skizmën kishtare) për t’u shtrirë deri në ditët e sotme. Gjatë promovimit u tha gjithashtu, se libri në fjalë është një kontribut jo vetëm për ndriçimin e çështjes në fjalë, por edhe për ndriçimin e drejtë të shumë disiplinave të tjera historike, që ndërlidhen ngushtësisht me historinë e religjioneve komparative. Gjatë këtij promovimi folën dhe historianët Nevila Nika, Dorian Koçi, Ledia Dushku, Ana Lalaj e Marenglen Verli. Për të arritur deri në botimin e këtij vëllimi, autori është mbështetur mbi një bazë dokumentare e bibliografie të bollshme, duke i qëndruar besnik principeve metodologjike shkencore.

DRITËHIJET E KISHËS
Dom Nika nuk përjashton e as nuk shmang faktin e implikimit të Kishës Katolike me regjimin e pushtimit italian e pastaj gjerman, gjë që e bën në një farë mënyre ndonjë autor tjetër, që ashtu si Dom Nika, vjen nga radhët e klerit katolik – shkruan Xhufi në parathënie. Autori ka parashtruar edhe arsyet që e shtynë kishën të mbajë një pozicion të tillë, arsye që jo gjithë kujt i duken të arsyeshme. “Në fakt, edhe ai vetë e pohon se iluzionet për një Shqipëri të zhvilluar, të pavarur edhe të bashkuar dhe për një Kishë Katolike mbarëshqiptare nën pushtimin e huaj si një fazë kalimtare rezultuan mundësi jo reale për kohën. Por kjo nuk ka rëndësi, sa ç’ka fakti që autori ia lë në dorë lexuesit të nxjerrë konkluzionet e veta për këtë ngjarje dhe të tjera të diskutueshme, të historisë së Shqipërisë e trojeve shqiptare në përgjithësi”, thotë Xhufi.

Madje, po aty shtohet se Ukgjini nuk ngurron gjithashtu të tregojë se edhe midis vetë Kishës shqiptare dhe Vatikanit ka pasur përplasje. “Nuk kanë munguar diferencat, siç është ajo e kahershme mbi emërimin e klerikëve të huaj nga ana e Selisë së Shenjtë, të cilët për mosnjohje rrethanash apo për zell të tepruar kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërfetare”, thotë Xhufi. Aty vihet re se një vend qendror në analizën e Ukgjinit zënë marrëdhëniet problematike mes Kishës shqiptare me shtetin si në Shqipëri edhe në Mal të ZI, Kosovë, ose Maqedoni, ku ka pasur historikisht struktura e komunitete kishtare.

“Regjimi i Ahmet Zogut, i ardhur në pushtet me ndihmën e qeverisë serbe i karakterizuar nga tendenca autoritariste e reminishenca orientale hasi që në fillim në skepticizmin e Kishës shqiptare, i cili më vonë mori forma të dhunshme me rastin e kryengritjes së Dukagjnit, ku klerikë katolikë u përfshinë si frymëzues e organizatorë të saj”, nënvizon Xhufi. Moment tjetër i përplasjes me Zogun ishte mbyllja e shkollave dhe institucioneve fetare të drejtuara nga kleri katolik apo dështimi i bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe Vatikanit lidhur me nënshkrimin e Konkordatit.

“Bisedimet dështuan sipas Ukgjinit, sepse nga njëra anë ishte kërkesa e qeverisë shqiptare për njohjen e institucionalizmin e martesës civile të së drejtës së divorcit dhe pretendimi i saj për kthimin e kishës në një institucion patriotik, të cilat u refuzuan nga Vatikani. Nga ana tjetër vinte kërkesa e Selisë së Shenjtë për të emëruar e shuguruar klerikë të huaj në hierarkinë e lartë të Kishës, që u refuzua nga shteti shqiptar. Kjo përplasje mes Zogut dhe Kishës Katolike shënoi një armiqësi të vërtetë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: