Venezuela ka njoftuar ekstradimin në SHBA të biznesmenit kolumbian Alex Saab, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Në deklaratën zyrtare të autoriteteve venezueliane thuhet se dëbimi i Saab u krye më 16 maj 2026, duke theksuar se ai akuzohet për përfshirje në krime të ndryshme në SHBA.

Alex Saab, i lindur në Kolumbi dhe i njohur për lidhjet e tij të forta me qeverinë venezueliane, kishte luajtur rol kyç në marrëdhëniet ekonomike mes industrisë së naftës së Venezuelës dhe Iranit. Ai u emërua ministër i Industrisë në Venezuelë në dhjetor 2024, por u shkarkua nga detyra pak javë pas arrestimit të Maduro-s në Karakas gjatë një operacioni amerikan më 3 janar.

Saab ishte arrestuar më parë në vitin 2021 dhe u ekstradua në SHBA, ku autoritetet amerikane e akuzuan për pastrim parash dhe për krijimin e një skeme korruptive me ndihmat humanitare në favor të regjimit të Maduro-s. Në dhjetor 2023 ai u lirua si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi të burgosurish mes Uashingtonit dhe Karakasit, ku u shkëmbye me 10 shtetas amerikanë të ndaluar në Venezuelë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb