Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje në një banesë në lagjen “Xhami”, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në adresën e dhënë, për verifikimin e rastit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në flagrancë në banesën e shtetases E. T., ku kishte hyrë për të vjedhur dhe u arrestua shtetasi:
A. R, 46 vjeç, banues në lagjen “Xhami”, i dënuar më parë për vjedhje.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, para një kohe të shkurtër nga kapja në flagrancë, ka vjedhur një armë gjahu dhe disa sende në banesën e shtetases E. T.
Mjeti (darë) që dyshohet se i arrestuari e përdorte për të kryer vjedhjet dhe sendet e vjedhura të cilat u gjetën në banesën e tij, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
