Një jaht luksoz me vlerë mbi 8 milionë euro është fundosur në ujërat pranë Porto Cervo, në Sardenjë, vetëm katër ditë pasi iu dorëzua pronarit të tij. Të 14 personat që ndodheshin në bord, përfshirë ekuipazhin dhe pasagjerët, arritën të shpëtoheshin dhe nuk raportohet për të lënduar.

Jahti 30 metra i gjatë, i quajtur “Angiola II”, pësoi probleme serioze mbrëmjen e së martës, më 11 gusht, teksa lundronte pranë Capo Ferro, në zonën e Costa Smeralda. Sipas vlerësimeve paraprake të autoriteteve, incidenti nisi në dhomën e motorëve, ku një defekt shkaktoi një zjarr të vogël. Flakët u vunë shpejt nën kontroll, por ndërkohë uji nisi të depërtonte në brendësi të jahtit.

“Angiola II” humbi gradualisht aftësinë për të qëndruar në sipërfaqe, u zhyt pjesërisht dhe më pas u përmbys anash, duke përfunduar në një thellësi prej rreth shtatë metrash. Shkaqet e sakta të incidentit janë ende nën hetim.

Në momentin e fundosjes, në bord ndodheshin 14 persona. Dymbëdhjetë prej tyre u transferuan në një tjetër mjet lundrues që ndodhej në zonë. Pronari i jahtit, një biznesmen italian, dhe një mik i tij qëndruan në “Angiola II”, në pritje të mbërritjes së ekipeve të shpëtimit.

Nis operacioni për nxjerrjen e jahtit
Pronari ka kontaktuar tashmë një kompani të specializuar për nxjerrjen e jahtit nga fundi i detit. Për operacionin pritet të përdoret një vinç lundrues me kapacitet ngritjeje rreth 200 tonë. Plani është që jahti të ngrihet nga fundi i detit, të transportohet në tokë dhe t’i nënshtrohet riparimeve të nevojshme me synim rikthimin e tij në gjendje për të lundruar.

Sipas mediave italiane, “Angiola II” nuk ishte një jaht i ri. Ai ishte ndërtuar dhe hedhur në ujë në vitin 2020 dhe kishte ndërruar pronarë disa herë përpara se të kalonte në duart e pronarit të fundit. Fakti që jahti u fundos vetëm katër ditë pas dorëzimit te pronari i ri e bën incidentin veçanërisht të pazakontë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: