Kryeministri Edi Rama ka denoncuar një ndërtim, sipas tij pa leje në zonën turistike të Thethit. Disa objekte janë vendosur në fushën e fshatit Theth, në lëndinën e Kishës, ndërsa sot aty kanë mbërritur mjetet e IKMT për çmontimin e tyre.
Kryeministri Edi Rama ka pasqyruar në rrjetin e tij social Facebook, LIVE aksionin e IKMT për shembjen e strukturave të ngritura. Ai tha se për këto ndërtime pa leje, prokurorja e Shkodrës Elsa Gjeli refuzoi të hapë çështjen “duke hedhur në kosh” denoncimin e policisë.
Postimi i kryeministrit Rama:
Ja shikojeni vetë LIVE nga Thethi
Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel – që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin – ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë për të cilën një prokurore e quajtur ELSA GJELI, ka refuzuar të hapë çështjen duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit
Tani çfarë borxhi i kanë zonjës GJELI, Republika e Shqipërisë, Parku Kombëtar i Thethit, banorët e mrekullueshëm e punëtorë të Thethit, vizitorët e turistët e shumtë dhe gjithë këto forca që kanë zbarkuar sot në Theth, bashkë me taksapaguesit shqiptarë që do të paguajnë tërë këto shpenzime për paga e për karburant, për pastrimin e kësaj katrahure dhe kthimin e qendrës së qytezës magjike në gjendjen e mëparshme?!
(BalkanWeb)
