Analisti i njohur Fatos Lubonja, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”News24, ka bërë një analizë të situatës politike dhe ecurisë së protestave qytetare që kanë përfshirë kryeqytetin. Gjatë bisedës, Lubonja u ndal te qëndrueshmëria e tubimeve, por ngriti alarmin për rreziqet e mëdha që i kanosen kësaj lëvizjeje nga ana e pushtetit.

Sipas analistit, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim, qytetarët në këtë protestë po tregojnë një shkallë të lartë pjekurie, duke u kujdesur maksimalisht që të mos bien pre e provokimeve apo tentativave për përçarje.

I pyetur se çfarë mund ta rrezikojë apo ta dobësojë këtë hov qytetar, Lubonja drejtoi gishtin nga sjellja e qëllimshme e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, duke e cilësuar “indiferencën” si një armë strategjike.

“Ka shumë rreziqe. Një nga rreziqet për shembull është pikërisht indiferenca e pushtetit në kuptimin që: ‘dilni ju, po unë nuk pyes’. Kur një pushtet i përgjegjshëm sheh çështjen dhe reagon, atëherë ti merr kurajo nesër të dalësh prapë. Ndërsa ai thotë: ‘dilni ju, unë kam punën time, karvani shkon përpara’…” u shpreh Lubonja.

Sipas tij, kjo është një teknikë e mirëfilltë politike që përdoret për mpirjen dhe demoralizimin e masave, me qëllim që njerëzit të dorëzohen duke menduar se reagimi i tyre po bie në vesh të shurdhër.

Analisti komentoi edhe deklaratat e Ramës, i cili ka pohuar prerazi se projektet e tij nuk ndalen edhe nëse në shesh zbresin qindra mijëra protestues.

Lubonja theksoi se kjo qasje arrogante dhe retorikë ofenduese synon pikërisht të minimizojë peshën e zërit qytetar, ndërsa shtoi se pikërisht përballë kësaj arrogance, rezistenca dhe qëndrueshmëria e njerëzve në ditët në vijim do të jetë vendimtare për fatin e protestës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb