Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, është pa diskutim sfida më e rëndësishme e kësaj jave, një përplasje totale që pritet të thotë shumë në garën për titullin kampion. Bardheblutë kërkojnë të “fshijnë” një tjetër rival, por në Shkodër kanë luksin të luajnë dhe për të dy rezultatet, favor që ia jep diferenca prej 6 pikësh.
Ndërkohë në letër për Vllazninë kjo është një ndeshje ku fitorja është detyrim, nëse dëshirojnë të futen në garë për titull. Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-19, ikonë e futbollit shkodran, në një intervistë për News24, për emisionin Sport News, të moderuar nga Trevisa Tufa, analizoi në detaje klasiken e futbollit shqiptar.
Cungu vendosi në “peshore” dy ekipet duke treguar pikat e forta dhe pikat e dobëta të dy ekipeve. Në sytë e Cungut, Tirana është një ekip më i kompletuar, më favorit, pavarësisht se largimet e disa lojtarëve si Seferi e Xhixha e kanë dobësuar. Në këtë garë për titulli, Cungu “përjashton” Partizanin, tekniku shkodran nuk i sheh favoritë pas largimeve që patën në janar.
