Emisioni i shëndetit “Klinika 24” që transmetohet në “News 24” ka mbushur plot 10 vite duke u ardhur në ndihmë qytetarëve mbi problematikat shëndetësore. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ideatorja dhe moderatorja e njohur, Doreada Mio flet mbi këtë rrugëtim që mbi të gjitha për të ka qenë një pasion. Ajo më tej flet mbi sfidat që ka kaluar dhe projektet e reja që pritet të vihen në jetë.
Emisioni i shëndetit, “Klinika 24” mbushi plot 10 vite transmetim. Si ka qenë ky rrugëtim për ju?
Po u mbushën plot 10 vjet që nga emisioni i parë i Klinika24. Viti i parë si çdo fillim me përgjegjësi e sfida për të shtruar rrugën e formatit, ku qëllim vazhdon të mbetet informimi dhe këshillimi i popullatës drejt të jetuarit shëndetshëm. Më pas vitet nuk i kam numëruar thjesht ecja përpara dhe klinika rritej, kam qenë në kërkim të ideve të reja në emision, herë me rubrikën pacienti në studio, me trajtime mjekësore në studio, herë me rubrikën mit apo fakt, apo me raste konkrete pacientësh të shpjeguara nga mjekët duke ruajtur sigurisht anonimatin. Kur klinika mbushi 5 vjeç kam shkruar në faqen e ‘Facebook’: shumë emisione, shumë të ftuar, telashe, por dhe shumë kënaqësi. Fakti që shqetësohem akoma nëse nuk del emisioni siç dua, që lexoj mjekësi gjithë kohës, që i takoj te ftuarit me zellin e fillimit apo që e kaloj të shtunën në darkë në punë, tregon që pasioni do të vazhdojë gjatë. Dhe, në fakt, vazhdoi në këtë 10-vjetor, u ndjeva shumë e emocionuar, realisht nuk i kam ndjerë vitet, sepse gjithmonë jam fokusuar tek ajo çka përcjell, por vërtet që këtë vit e ndjeva që rrugëtimi ishte i gjatë, me vështirësitë e veta por dhe i bukur.
Si lindi ideja e vënies në jetë të një formati të tillë dedikuar totalisht problemeve shëndetësore?
Ideja e një formati dedikuar shëndetit, më është propozuar nga ‘Tv Norba’ në vitet 2000, pas një eksperimenti në emisionin maratonë nëpër ditët e HIV/Aids, nën titullin “Shëndet për të gjithë”, për çdo të mërkurë në tre vite unë u përfshiva e gjitha nga ky format. Mbaj mend merakun se mos më vonoheshin të ftuarit, dhe emocionet që të fal kamera, studio, dritat. Duke qenë se unë nuk kam mbaruar për mjekësi më duhej të lexoja dhe përgatitesha shumë që të ndihesha mirë përpara të ftuarve dhe të kishte dialog, dhe sfida ishte e madhe, sepse në atë kohë nuk ishte kjo lehtësi në internet dhe mbaj mend që lexoja dispenca të Fakultetit të Mjekësisë që ndonjëherë edhe më trembnin dhe më linin pa gjumë, me shpjegime të imtësishme për sëmundje që nuk i kisha dëgjuar më parë. Më pas në tv ‘Vizion’ plus, nën formatin ‘Stetoskop’ unë rritesha si gazetare e shëndetit dhe numri i mjekëve që intervistoja rritej dhe njohuritë e mia shtoheshin…
Cilat kanë qenë sfidat dhe arritjet në këto 10 vjet te ‘Klinika 24’?
Thuhet që në përvjetorë bëhen dhe balanca. Sfida ime që nga fillimi ka qenë të trokas në çdo shtëpi, në çdo nënë të re, në çdo të moshuar, në çdo të ri, në fund të fundit tek çdo individ, me informacione të dobishme rreth shëndetit. Viti I fundit sidomos na mësoi që shëndeti vjen gjithmonë i pari, dhe një edukim shëndetësor, të informuarit drejt rreth problemeve por mbi te gjitha këshillat drejt një jetese të shëndetshme janë një hap i rëndësishëm për të pasur një popullatë të vetëdijshme të kontrollohet tek mjeku pa qenë i sëmurë, të përpiqet të ushqehet siç duhet, të kryejë aktivitet fizik, për të parandaluar dhe kapur në kohë sëmundje edhe nga ato që fatkeqësisht vazhdojnë të marrin jetë. Sa ia kam arritur? Nga sms-të që më vijnë në telefon apo faqen e ‘Facebook’-ut të emisionit, por mbi të gjitha kur njerëz të ndryshëm më thonë në rrugë: “Doktoresha të të pyes për diçka”?; besoj që diçka kam bërë….
Gjithmonë ke sjellë zërin e ekspertëve në fushën e shëndetësisë duke i dhënë një hapësirë vetë qytetarëve që të shfaqin problematikat e tyre. Sa i rëndësishëm është zëri i tyre?
Në më shumë se 15 vite emision, nuk arrij dot ta llogarisë numrin e mjekëve të ftuar të cilëve ju jam shumë mirënjohëse, jo vetëm se jemi përpjekur të këshillojmë publikun por edhe unë kam mësuar shumë prej tyre. Në vitet e para thosha gjithmonë i ftuari i mirë kupton (mjeku profesionist) të bën emisionin. Më vonë kur prisnim telefonata nga shikuesit, kur kishim këndin e pacientit në studio, apo në gjithë vitet e fundit që ju përgjigjemi në kohë reale sms në faqen e ‘Facebook’-ut të klinikës, shqetësimeve apo pyetjeve të publikut, e kam kuptuar që ato janë pyetjet e duhura dhe më interesantet që mjeku duhet të sqarojë apo informojë, kështu që tani them i ftuari i mirë dhe pyetjet konkrete të atyre që realisht vuajnë nga një problem mjekësor ta bëjnë emisionin.
“Klinika 24” i është gjendur pranë qytetarëve dhe në këtë vit të vështirë pandemie. Sa e vështirë ka qenë për ju realizimi i emisionit me këto kushte të jashtëzakonshme?
Ky vit që lamë pas ishte realisht i vështirë për këdo, madje kam lexuar dikë të citonte që pas kësaj nuk do të jemi më të njëjtët… Viti që kuptuam, që shëndeti vjen gjithmonë i pari, por dhe fuqinë e një përqafimi dhe vlerën e jetës sociale, por mbi të gjitha merakun për të afërmit tanë. Në Klinika 24 së bashku me zërin e mjekëve që punojnë përditë në kushte të vështira që janë përballur me covid, gazetarja e emisionit, operatorët edhe montazhieri apo regjia jemi një skuadër që në këto kushte përpiqemi çdo të shtunë të përcjellim mesazhe shëndetësore të vlefshme.
Si ka qenë bashkëpunimi me mjekët përgjatë gjithë këtyre viteve?
Unë e them sa herë më jepet rasti që të ftuarit e mi nuk janë kalimtarë në jetën time, shumica e mikeshave dhe miqve të mi janë mjekë, madje më duket sikur edhe unë jam pjesë e këtij komuniteti aq sa të nderuar, aq dhe të diskutuar. Me shumë mjekë ardhja në emision ka qenë fillimi i miqësive që vazhdojnë edhe në këto kohë kaq të ngarkuara.
A do të presim diçka të re nga “Klinika 24”?
Në fillimet e vitit 2020 “Klinika 24” nisi një projekt të ri, por që nuk e vazhduam dot gjatë siç ishte menduar për shkak të pandemisë, por sapo të rikthehet normaliteti shpresoj që të mundemi t’i rikthehemi dhe ne projektit tonë. Në fund dua të them që në 10 vite “Klinika 24” vazhdon të jetë emisioni që më identifikon dhe besoj pasioni do të vazhdojë gjatë.
