TIRANE- Pas kallëzimit që Kontrolli i Lartë i Shtetit depozitoi në Prokurori për Rexhë Byberi, ish-kryetarin e Komunës Margegaj në Tropojë, ka reaguar ky i fundit.

Ai pohoi për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se ka dhënë dorëheqje nga detyra më datën 30 prill të vitit 2015, pasi do të kandidonte për kryetar bashkie në Tropjë nën siglën e LSI.

“Vendimi që thuhet në auditin e KLSH nuk është firma ime, pasi unë kisha dhënë dorëheqjen. U dorëhoqa për të kandiduar për kryetar në Tropojë. Dhashë dorëheqjen sipas rregullores. Kam punuar me përkushtim, veprova sipas Kushtetutës. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë”, tha Rexhë Byberi.

“Kontrolli i Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 495/1, datë 16.5.2017, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Tropojë dhe Njësitë Administrative ish-Komunat Margegaj, Tropojë Fshat, Bujan, Llugaj, Fierzë, Bytyç e Lekbibaj, për veprimtarinë nga data 01.07.2014 deri më 31.12.2016 për Bashkinë Tropojë dhe nga data 01.01.2013 deri më 31.07.2015 për 7-ish Komunat për periudhën 01.01.2013 deri më 31.7.2015, me objekt auditimi: “Për zbatimin e përputhshmërisë, ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”.

Me Vendimin nr. 136, datë 30.09.2017 të Kryetarit të KLSH-së, është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe me shkresën nr. 495/26, datë 30.09.2017, me qëllim përmirësimin e gjendjes, i janë rekomanduar Bashkisë Tropojë, masa me karakter organizativ, masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 24.7 milion lekë, si dhe të ardhura të munguara në vlerën prej 20.7 milion lekë. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik me vlera të vogla dhe pagesa të paargumentuara e të pajustifikuara me dokumentacion”, thuhej në njoftimin e sotëm të KLSH-së.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: