TIRANË-Qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat për menaxhimin e refugjatëve sirianë që mund të zgjedhin vendin tonë si trajektore për të shkuar drejt Europës. Këtë garantoi të hënën në Komisionin Parlamentarë për Sigurinë Kombëtare, Ministrja Mimi Kodheli, e thirrur nga ky komision për të raportuar mbi masat ndaj refugjatëve në Mesdheun lindor dhe diskutimet e bëra në Ministerialin e NATO-s të zhvilluar gjatë datave 10-11 shkurt.

Në fjalën e saj, Ministrja e Mbrojtjes e vuri theksin tek kujdesi që vendet e Aleancës së NATO-s kanë vendosur tek çështja e refugjatëve. “Vendimi kryesor i marrë gjatë Ministerialit ishte zhvendosja e Grupit të Gatshëm Detar 2 të NATO në Detin Egje, ku do të ndihmojë Greqinë, Turqinë dhe Bashkimin Evropian me trafikun e mijëra refugjatëve që vijnë nga lindja e Aleancës. Në ministerial u ra dakord gjithashtu me rritjen e prezencës dhe gatishmërisë së forcave të Aleancës, shtimin e policimit ajror në Turqi, shtimin e pranisë detare në Detin e Zi dhe atë Mesdhe si dhe forcimin e mbrojtjes ajrore të Turqisë”,- tha znj. Kodheli, e cila nuk la pa përmendur kontributin e vendit tonë në Aleancë.

“Shqipëria po merr pjesë në Task-Forcën e Bashkuar të Gatishmërisë Shumë të Lartë me një kompani këmbësorie çdo vit. Ky kontribut, vlerësohet nga NATO si mjaft i rëndësishëm duke pasur parasysh madhësinë e Forcave tona të Armatosura, por dhe krahasuar me vende të rajonit. Ne gjithashtu kemi marrë vendim për të shtuar kontributin edhe me një togë tjetër këmbësorie në Afganistan, kësaj radhe me aleatët italianë, duke vazhduar angazhimin e nisur që në vitin 2002.”,  tha ajo.

Sipas saj NATO kësaj problematike të shfaqur më së shumti në Turqi do të ti përgjigjet me shtimin e prezencës ushtarake në atë zonë. “NATO i përgjigjet këtij misionin më 24 shkurt, kur do të ketë prezencë ushtarake detare në Egjje. Në ministerial u ra dakord që të shtohet edhe patrullimi ajroj në Turqi, kontrolle nga deti në detin e zi, si dhe prezencë ushtarake këmbësore dhe në këtë drejtim Shqipëria kë rënë dakord të çojë një Kompani Këmbësorie çdo vit. NATO, vijoi Kodheli, vlerëson kontributin tonë”. Ministrja e Mbrojtjes duke folur pikërisht për kontributin e vendit tonë tek NATO dhe SHBA, u shpreh se Shqipëria ka qenë vendi parë që iu përgjigj Amerikës kundër ISIS. “Shqipëria ka qenë vendi i parë që iu përgjigj thirrjes së SHBA-ve për ndihmë ushtarake ndaj peshmergave kurdë, në luftë kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik. Katër donacionet e bëra nga Forcat e Armatosura me armatim lindor, kanë bërë të mundur kthimin e fatit të betejës së Mosulit në gusht-shtatorin e 2014”,  deklaroi ministrja Kodheli, e cila shtoi edhe reformën në drejtësi si një nder temat e diskutuara me sekretarin Kerry.

Vizitën në Tiranë të Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry, ministrja Kodheli e cilësoi si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. “SHBA dhe Shqipëria kanë nënshkruar një dokument të partneritetit strategjik. Ky dokument, ka përcaktuar më së miri piketat për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë në 10 -vjeçarin e ardhshëm”, tha Kodheli.

Deputetët e komisionit të Sigurisë kërkuan informacion nga ministrja Kodheli lidhur me refugjatët dhe masat e marra nga qeveria shqiptare në rast se fluksi i tyre kalon nga vendi ynë. Ministrja Kodheli bëri me dije anëtarët e këtij komisioni se qeveria ka marrë masat e para. “Grupi i punës i përbërë nga ministritë e linjës nën drejtimin e zëvendëskryeministrit ka bërë një inventarizim të mundësive tona nëse fluksi i refugjatëve kalon nga Shqipëria, që në të gjitha rastet”- vijoi Kodheli- “do të shërbejë vetëm si vend tranzit.”. Ministrja bëri me dije se ka komunikuar lidhur me këtë temë me komisionerin e BE-së për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë,  Dimitris Avramopoulos, si dhe me homologët e saj italian, malazezë, maqedonas, kroat etj.

Gjatë punimeve të Komisionit ra në sy rikthimi i deputetit Prenga, i cili është në hetim nga prokuroria për plagosje me dashje dhe mungesa e deputetëve të Partisë Demokratike, për të cilët kryetari Komisionit tha se do ishte më mirë, që këta deputet të ishin duke kryer detyrën e tyre e jo të godisnin me vezë e domate institucionet shtetërore. Këtë, Deputeti Braho e tha duke iu referuar protestës, që po zhvillon opozita për ndërtimin e parkut të lojërave tek parku i liqenit artificial.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: