NGA OLA MITRE
TIRANE- Pushimi për punëmarrësit, pas 6 orësh punë nuk do të paguhet më”. Penalizimi vjen nga Kodi i ri i Punës, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare e hyn në fuqi pas 6 muajsh. Sipas Kodit të deritanishëm, parashikoheshin pushime të paguara, të shkurtra, jo më pak se 20 minuta për çdo 4 orë pune të vazhdueshme. Ndërkohë që, me ndryshimet që ka pësuar ky nen, ‘kur punëmarrësi punon më shumë se 6 orë në ditë pa ndërprerje, duhet të parashikohet një pushim pa pagesë, jo më pak se 20 minuta, i cili duhet të jepet pas tri orësh dhe jo më vonë se pas 6 orësh pune të vazhdueshme’.
Ky nen është komentuar më herët edhe nga përfaqësues të sindikatave, ndërsa presidentja e Federatës së Sindikatave të Administratës Publike Shtetërore Shqiptare, Entela Hysenllari, tha në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se uronte që ky të ishte një lapsus, pasi në të kundërt ishte një kthim mbrapa në drejtim të të drejtave të punonjësve në vendin e punës. “Do i kthejë punonjësit në robotë, duke u vetësakrifikuar, duke mos e bërë atë pushim përderisa do i zbritet nga rroga apo do jetë i detyruar të punojë më gjatë”, u shpreh Hysenllari në atë kohë. Por, teksa Kodi i ri është publikuar në Fletore Zyrtare, duket se nuk kemi të bëjmë vetëm me një lapsus, por për një ndryshim të mirëfilltë të kësaj praktike. ORËT SHTESË Ndërkaq, Kodi i ri i Punës, që tashmë ka marrë edhe dekretin e presidentit, duket se ka pësuar një ndryshim për çështjen e shumëdebatuar të 200 orëve shtesë.
Sipas tij, “punëdhënësi mund të kërkojë kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit”. Ndërkohë që, me nenin e propozuar paraprakisht ‘punëdhënësi urdhërohej’ për t’i kryer këto orë. Megjithatë, Kodi nuk shkon më tej, për të përcaktuar nëse kryerja e këtyre orëve do të bëhet me negocim gjatë nënshkrimit të kontratës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, një kërkesë e bërë nga deputetët e PD-së në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, gjatë kohës që diskutoheshin këto ndryshime.
VENDIMET E GJYKATËS
Një tjetër tërheqje nga propozimi fillestar duket se është bërë edhe në drejtim të rikthimit në detyrë, kur punëmarrësi ka një vendim gjykate. Më herët u propozua që ‘punonjësit e administratës publike, që largohen nga puna, por me vendim të formës së prerë nga gjykata duhet të rikthehen në vendin e mëparshëm të punës, nuk do e kishin më këtë të drejtë’.
Ndërkohë që, sipas Kodit të ri, të publikuar në Fletoren Zyrtare, punonjësit do të vijojnë të përfitojnë nga kjo praktikë. Më konkretisht, në nenin e riformuluar thuhet: “Në rastet e zgjidhjes së menjëhershme, të pajustifikuar, të kontratës së punës nga punëdhënësi, gjykata, me kërkesë të punëmarrësit dhe duke vlerësuar të gjitha rrethanat, vendos dëmshpërblimin, deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim”. Por, në këtë nen shtohet edhe një pikë e re, që ‘limiton’ në kohë të drejtën për të ngritur padinë në raste të zgjidhjeve të kontratave. Sipas saj, ‘nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të justifikuara, punëmarrësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër punëdhënësit, në gjykatën kompetente, brenda 180 ditëve nga dita e zgjidhjes së marrëdhënieve të punës.
NDRYSHIMET E KODIT TË PUNËS
Në rastin kur motivi i pajustifikuar është zbuluar pas kalimit të këtij afati, punëmarrësi duhet të ngrejë padinë brenda 30 ditëve nga dita e zbulimit të këtij motivi’. Kodi i ri i Punës ka pësuar një sërë ndryshimesh edhe në drejtim të grave gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes së fëmijës. Sipas Kodit të Ri, do të ndalohet puna për gratë shtatzëna 35 ditë para lindjes dhe 63 ditë pas lindjes, nga 42 ditë që ishte aktualisht. Vetëm pas periudhës 63-ditore të paslindjes, gruaja vendos vetë nëse dëshiron të punojë ose të përfitojë nga sigurimet shoqërore. Një risi që sjell Kodi i ri i Punës janë agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat do sigurojnë mbrojtje ligjore për të gjithë personat që deri më sot kanë punuar të pambrojtur, si: hidraulikët, elektricistët, pastrueset, babysitter- at, punëtorët e ndërtimit me ditë etj.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
