Ndonjë moshatar i imi publikon foto të jetës së përditshme në vendet perëndimore të viteve ’70-80, të rinj të veshur me jeans e këmisha të hapura shumëngjyrëshe dhe shkruan:
– Ja si ka qenë jeta jonë, jo si këta kaqolët e sotëm që u bien brekushet.
Ka që e bejne për humor, por jo të gjithë.
Me këta të dytët, duket se ka një problem.
Këta individë që përnjimend mendojnë kështu harrojnë dhe ndërkëmbejnë hapësirën me kohën. Gjërat kanë ndodhur në të njëjtën kohë, por jo në të njëjtën hapsirë.
Me naivitet, ata duan të bindin veten se kanë qenë pjesë e asaj bote që e jetonte jetën ashtu si ia thoshte mendja.
Kanë nevojë për një gjë të tillë që të gjejnë një farë normaliteti në përditshmërinë e tyre. Si ato vajzat e përdhunuara nga të afërmit që befas e harrojnë gjithçka që truri të mos u shkatërrohet nga tmerri e dhuna që kanë pësuar.
Se realisht rekuizita dhe kodet po ato janë, autobuze ne, autobuzë ata, pantallona ne, pantallona ata, këmishë ne këmishë ata…
(Me këtë rast m’u kujtua se kisha një palë pantallona të vetme dhe ditën që ato laheshin, nuk dilja mbasditeve, vishja një palë tuta dhe luaja futboll te nje fushë pas pallatit)
Për ata që e harrojë dhe mburren pas një realiteti që nuk ishte i tyri, mbase është fjala për ndonjë lloj mekanizmi që synon të hedhë në harresë një mjedis mbytës, atë ku ecnim me frikë se veç varfërisë poshtruese që e ndjenim deri thellë në shpirt, papritur të dilte përpara një grup gardistësh të kuq që të qethnin në mes të rrugës apo, sipas rastit, të djelën të jepnin një kovë në dorë për të ujitur ullinjtë, ato ullinj që nuk i shihnim as në dyqan…
Ka të ngjarë që te këta individë të veprojë i njëjti mekanizëm sikundër i atyre që vuajnë nga sindroma pellazgjike.
Realiteti ynë ka qenë tjetër. Që të mos jem subjektiv duke thënë se ishte një kohë që kisha vetëm një këmishë dhe kur lahej ajo (normalisht dy herë në javë), nuk dilja mbasditeve, pra për të mos qene subjektiv po sjell pak nga vargjet e Fatmardh Amursit që në lidhje me atë kohë, dhimshëm thonë:
Shokët e konviktit
I takonin të dashurat
Në ditë të ndryshme,
Ngaqë vishnin të njëjtën xhaketë
Pastaj erdhën vitet ’90 dhe vendi shpërtheu si një infeksion në zemër të Evropës!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb