Nga:Edvin Kulluri

Shqipëria e sotme është një vend në krizë. Në krizë institucionale, politike, sociale dhe prag krize ekonomike.  Që prej vitit 1997 që shënon dhe krizën e fundit të rëndë në të gjitha aspektet e sipërcituara, situata aktuale megjithëse e ndryshme në disa aspekte është shumë e ngjashme me muajt para marsit të 1997, kur u shemb arkitektura shtetërore, politike e ekonomike e vendit. Është e ndryshme sepse ka ndryshuar forma e sjelljes autokratike, por thelbi është I njëjti. Është e ndryshme sepse në atë kohë në opozitë ishte PS dhe jo PD, por ngjashmëritë mes dy opozitave të paafta për të mundur pushtetin janë të shumta.

Natyrisht që ky përshkrim nuk projekton ngjarje të ngjashme me ato fatkeqe të 1997, por simptomat e sjelljes së pushtetit dhe apatia popullore e para rrebelimit janë pothuaj identike. Frustracioni ende jo shumë I zëshëm po endet nëpër rrugët e qyteteve e fshatrave të Shqipërisë, mund të shndërrohet në revoltë nga momenti në moment. Dhe kjo që po ndodh nuk është rastësi e as asimetrike me arsyet pse erdhëm në këtë pikë.  Zanafilla e kësaj situate mbytëse është si gjithnjë politike, e rrënjët I ka tek më shumë se një dekadë më parë. Tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe Kodi Zgjedhor I miratuar në atë kohë. Këto dy ngjarje erdhën si kundërshtim ndaj frymës demokratike të Kushtetutës së vitit 1998 dhe një sistemi zgjedhor miks, I cili nxiste një parlament miks të zgjedhurish drejtpërdrejtë dhe korrektimit pluralist e elitist. Por ky diskutim tashmë është ezauruar, lidhur me pse erdhëm në këtë pikë. Edhe kulturalisht nuk ka më asnjë dyshim se elita politike shqiptare e post-komunizmit, bie gjithnjë në të njëjtin gabim. Rifreskimin e prirjes autokratike, pavarësisht se formalisht sistemi nuk e lejon e aq më pak konjuktura ndërkombëtare nga e cila jemi të ndërvarur.

Fakti është se përplasja tashmë frontale e qeverisë me SPAK, c’ka u deklarua haptas nga Rama në konferencën për shtyp të fundvitit, është fillimi zyrtar I krizës së paralajmëruar që në shkurt. Atëherë kur në panik e sipër Kryeministri reagoi emocionalisht ndaj drejtësisë deri në kufijtë e dhunës fizike në oborrin e GJKKO-së. Apo më keq akoma në demonstrimin e forcës në Sheshin Skënderbej kur rreshtoi “ushtrinë e bashkisë” përballë “togës” së prokurorëve e gjyqtarëve specialë. Por dicka e ndaloi e më pas u akomodua me idenë e arrestimit të njerit prej dy njerëzve më të rëndësishëm politikë të mazhorancës. Ndërkohë  zgjedhjet e 11 majit përballë një opozite të përçarë ku shumica e drejtuesve të partive bënin llogari me “5 kamiona për 7 bataliona”, I dhanë Ramës akoma më shumë qetësi, nën së cilën fshihej gjithsesi një ankth I madh. Ai I shkaktuar nga drejtësia dhe lodhja 12 vjecare që I conte pikërisht bashkëpunëtorët e tij në dyert e së parës. Dhe qershia mbi tortën e ankthit të kamufluar u vendos nga SPAK disa javë e ditë më parë, me marrjen në përgjegjësi penale të zëvendës-kryeministres Balluku dhe drejtoreshës së AKSH Karcanaj.

Dy personazhe mesa duket të lidhur kokë e këmbë me Ramën dhe rrethin e tij familjar. Përndryshe nuk shpjegohet ndryshimi me 360 gradë I tij në marrëdhënie me SPAK. Nga fraza se “PS nuk bëhet avokate e korrupsionit” në “SPAK po kalon vijat e kuqe”, dukshëm dallohet ndryshimi I pozicionit të Ramës nga sulmi në mbrojtje. C’ka nuk është një lajm I mirë për vetë Ramën dhe ata që ende e mbështesin në PS. Kjo përplasje institucionale që po ravijëzohet përmes padisë në Gjykatë Kushtetuese për anullimin e pezullimit të Ballukut dhe shumë gjasa rrëzimin e kërkesës nga shumica parlamentare për heqjen e imunitetit të saj, mund të jetë edhe “cakmaku” i ndezjes së reagimit qytetar. Reagim që si Berisha ashtu dhe Lapaj po përpiqen ta shuajnë përmes bllokimit të protestave të mundshme për shkak se kanë humbur legjitimitetin opozitar në 11 maj, ndaj dhe vecse I dekurajojnë ato.

Njëri duke dështuar si rival për kryeministër dhe tjetri si fytyra e re e politikës së konsumuar. Fiks si në 1996, kur PS që ishte ende ish partia e Punës, nuk kishte forcën e legjitimitetit që të clironte energjinë anti-Berishë që po gatuhej pas thagmave të përsëritura që nga zgjedhjet e 26 majit e deri tek gjëma e piramidave. Por shoqeria e gjeti një rrugëdalje për frustracionin e akumuluar ndaj keq-qeverisjes. Dhe Berisha që ngjasonte me një Leviatan  të pathyeshëm, u shndërrua shumë shpejt në pasagjerin e helikopterit të arratisë për në Itali, por që e zbritën në momentin e fundit për të mos e lënë Shqipërinë në duart e një pushteti extra-large të PS.

Por kriza në të cilën gjëndet vendi nuk është vetëm politike. E as ekonomike në kuptimin e korrupsionit në vetvete, por të impaktit që ai ka patur në ekonomi. Sepse përvec rishpërndarjes së ulët të mundësive, të ardhurave dhe burimeve që shkakton korrupsioni, edhe fuqizimi I krimit të organizuar ka krijuar një problem po aq të madh me drejtësinë e munguar sociale e ekonomike. Jo vetëm që Shqipëria nën qeverisjen Rama është kthyer në parajsë të paligjshmërisë e kujtdo që punon e jeton përmes saj, por ka përjashtuar shumicën dërrmuese të shoqerisë nga të jetuarit me dinjitet. Vetë konkurenca e lirë kërcënohet cdo ditë nga pastrimi parave të pista, duke I prerë tregut të lirë njërën nga këmbët ku mbështetet. Për pasojë rreth 27% e popullsisë jetojnë në minimum jetik, por 47% të tjerë ndodhen afër këtij pragu. Pra janë të rrezikuar nga momenti në moment që të kalojnë nga brezi I jetesës normale pa ndonjë të ardhme ekonomike të qartë, drejt brezit të varfërisë.

Të dyja aspektet e krizës si ai politiko-institucional dhe ai ekonomik-social, përbëjnë një mishelë me potencial tyë lartë shpërthyes. E që “molotovi” mos të shpërthejë ka një zgjidhje. Tërheqjen nga protagonizmi dhe dominimi nga ana e  Ramës dhe Berishës, e hapja rrugë parlamentit për të gjetur një zgjidhje të mëncur. Një qeveri që do votohej nga shumica e deputetëve të dy partive të mëdha me një axhendë të përcaktuar qartë mbi disa parime thelbësore si integrimi në BE, rivendosja e sigurisë kombëtare në normalitet, ndërprerja e influencave të huaja dashakeqe dhe mbështetje e plotë për drejtësinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Natyrisht që për të dy dinozaurët që drejtojnë Rilindjen dhe Foltoren (pasi asnjëra nga dyja nuk përfaqësojnë realisht si PS dhe PD), kjo zgjidhje nuk është e lëhtë, por edhe rrugë më të vështirë për ata vetë se këmbëngulja në drejtimin  e qeverisë dhe opozitës nuk ka. Në këtë pikë cështja e kosto-përfitimit është e vështirë për tu llogaritur. Por një gjë është e sigurtë. Fatos Nano bëri zgjedhjen e duhur në 2005. Dhe iku nga kjo botë të paktën me respektin e njërëzve se diti ti thoshte vetes dhe Shqipërisë se “mjaft është mjaft”!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: