Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në fokus të bisedimeve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi dhe nevoja për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Kallas theksoi se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe ecja përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian duhet të zhvillohen paralelisht.

Ajo u ndal edhe te marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.

“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme. Zbatimi i tyre nuk është një favor për Brukselin, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale”, shkroi Kallas.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së deklaroi gjithashtu se Brukseli do të vijojë të luajë rolin e ndërmjetësuesit në proces.

“BE-ja do të vazhdojë të jetë ndërmjetësues i paanshëm. Por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara”, theksoi ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar më herët për takimin me Kallas, por në reagimin e tij nuk kishte bërë të ditur nëse gjatë bisedës ishte diskutuar edhe procesi i dialogut me Serbinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: