Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot shkarkimin nga detyra të ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka.
Trupi gjykues i përbërë nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatorja Mimoza Tasi dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo,
në përfundim të gjykimit, vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Aurel Zarka.
Gjykata e Posaçme e kishte dënuar ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka me 4 vite burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar i kthehej në 2 vite e 8 muaj. Gjithashtu atij i hiqej e drejta për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vite.
Ish-prokurori i Vlorës kishte ankimuar vendimin, duke kërkuar rishqyrtim të provave dhe procedurave gjyqësore.
Zarka akuzohet se është përfshirë në korrupsion dhe ka ushtruar ndikimi te kolegët e tij.
Sipas SPAK-ut, Aurel Zarka ka qenë përdorues i aplikacionit Sky Ecc. Bisedat e kryera aty dhe verifikimet e tjera, treguan se ai u korruptua për një çështje në Gjykatën e Vlorës.
Ish-prokurori akuzohet edhe se ka tentuar të korruptonte një kolegun e tij në Vlorë për të pushuar një hetim dhe në 3 raste të tjera, ushtroi ndikim të paligjshëm te kolegët e tij.
