Kolegji Zgjedhor ka vendosur sot që mandati i vetëm i fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit t’i takojë Ana Dajkos, duke i dhënë fund një beteje disa mujore për këtë mandat.
Vendimi i sotëm la në fuqi atë të KAS-it të 30 korrikut, i cili e ktheu mandatin te e para e listës, Ana Dajko.
Adriatik Lapaj kishte dorëzuar më 4 gusht një padi në Kolegjin Zgjedhor, duke kërkuar mandatin si fitues i listës së hapur me vota preferenciale. Megjithatë, sot ai paraqiti një tjetër kërkesë, që të njihej vendimi i kryetarit të KQZ-së Ilirjan Celibashi më 23 korrik, i cili ia kishte dhënë mandatin kushërirës së tij, Kleana Xhuveli.
Celibashi, ndonëse nuk pranoi të digjte 12 kandidatët e listës së mbyllur sipas marrëveshjes së koalicionit, ua njohu atyre të drejtën e tërheqjes. Në këtë kuadër, Kleana Xhuveli (e katërta në listë) dhe Zeqir Kordhoni (i nënti, daja i Endri Shabanit) kërkuan të hynin në Kuvend. Por ky vendim u rrëzua nga KAS, duke i hapur rrugë rikthimit të mandatit te Dajko.
Me vendimin e sotëm, hapet rruga për certifikimin zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit.
