TIRANË

I arrestuari Artan Koçiu nuk ka pranuar akuzën përpara efektivëve të policisë, gjatë arrestimit në banesë ku iu gjetën plot 4000 vepra të trashëgimisë kulturore, të dyshuara të vjedhura.

Në dosjen e prokurorisë, të siguruar për ‘BalkanËeb’ nga gazetarja Klodiana Lala ai sqaron se është i apasionuar dhe koleksionist i gjërave të vjetra e antike dhe merret kryesisht me restaurimin dhe koleksionimin e tyre. Objektet dhe sendet e gjetura në këtë apartament ai thotë se i ka blerë në tregun e zi si edhe nga familjarë të ndryshëm. Ai deklaron se është koleksionist dhe shumë i apasionuar për këto gjëra, nuk i ka vjedhur këto sende dhe as është përpjekur t’i shesë ato.

‘Shtetasi Artan Kociu është i regjistruar pranë qendrës kombëtare të Biznesit si restaurator, me nr. license K 5151****F” thuhet ndër të tjera në dosjen e prokurorisë.

Ndaj Koçiu rëndojnë akuzat e “Trafikimit të veprave të artit dhe kulturës’, si edhe ‘vjedhja e veprave të artit dhe kulturës’, parashikuar në Kodin penal.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore.

Në bashkëpunim me specialistët dhe ekspertët e Institucioneve të Specializuara në Ministrinë e Kulturës vijon puna për inventarizimin e këtyre objekteve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Ndër objektet e sekuestruara janë pjesë ikonostasesh nga objekte të vjetra kulti, objekte etnografike, objekte të artit pamor, Objekte kulti Liturgjike, libra të vjetër, Kodik, Skrivane dhe mobilje të vjetra EPITAFE, etj.

(BalkanWeb)

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: