PRISHTINE – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropën, gjeneralin Philip Breedlove, të cilit i kërkoi vendosjen e një marrëdhënie formale mes NATO-s dhe Republikës së Kosovës për t’i paraprirë procesit të Kosovës për anëtarësim në NATO.

Me komandantin Suprem të NATO-s për Evropën, Jahjaga diskutoi edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, situatën dhe sfidat e sigurisë në Kosovë dhe rajon, transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe procesin e integrimit të vendit në NATO.

Siç njofton Departamenti për Informim i Presidencës, presidentja Jahjaga falënderoi gjeneralin Breedlove për kontributin e mijëra ushtarëve të rreshtuar në KFOR për të krijuar ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, që u ka mundësuar institucioneve dhe qytetarëve të vendit të ndërtojnë një shtet demokratik dhe funksional.

“Presidentja Jahjaga kërkoi gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve formale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s si përmbushje e aspiratave të vendit për të realizuar integrimin euroatlantik dhe anëtarësimin eventual në NATO”, thuhet në njoftim.

Komandanti Suprem i NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove u prit sot edhe nga Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai shprehu përkrahje për Kosovën në hapat e ardhshëm, duke vlerësuar lidershipin e Qeverisë së Kosovës dhe fokusimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera zhvillimore.

Duke e falënderuar për përkrahjen e tij dhe të NATO-s për Kosovën, kryeministri Mustafa, shprehu vlerësimet më të larta të qytetarëve për kontributin e KFOR-it për proceset në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, e njoftoi Gjeneralin Breedlove për progresin që po arrihet në Kosovë në avancimin e gjendjes së sigurisë, për proceset integruese evropiane, zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe reformat tjera.

Më tej, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin dhe rezultatet konkrete të Kosovës në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe hapat e mëtejmë në kuadër të luftës së përbashkët të koalicionit global kundër këtyre dukurive.

Gjatë takimit u bisedua edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa, theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit dhe dialogut politik me NATO-n.

“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë plotësisht të përkushtuara në rrugën e tyre euroatlantike dhe ky proces nuk ka alternativë tjetër për Kosovën”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Komandanti Suprem i NATO-s, Gjeneralin Philip M. Breedlove, vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur optimizmin e tij për zhvillimet e mëtejshme.

Komandanti suprem i NATO-s viziton shtabin qëndror të NATO-s në Kosovë
Gjatë një vizite dy ditore në selinë e NATO-s në Prishtinë, Gjenerali Philip M. Breedlove, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë, u takua me trupat e Forcës së Kosovës duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për stabilitetin e të ardhmes së Kosovës, bën të ditur KFOR.

Theksohet se, Gjenerali Breedlove u informua nga Gjeneral Majori Luigi Guglielmo Miglietta, Komandanti i KFOR-it, dhe stafi i shtabit ndërkombëtar mbi zhvillimet e fundit në situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.

“Është shumë inkurajuese për të parë se si kontributi i KFOR-it për stabilitetin e situatës së sigurisë këtu ka krijuar kohë dhe hapësirë të nevojshme për aq shumë progres. Sigurisht ka ende shumë për t’u bërë, por përparimi është i dukshëm”, tha Breedlove.

Gjenerali Breedlove kishte dy takime shumë informative dhe të dobishme me disa nga ambasadorët e shteteve kontrubuese në misionin e KFOR-it, si dhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar: BE-së, UNMIK-ut , OSBE-së dhe EULEX-it.

“Derisa Kosova ecën përpara dhe përqafon të ardhmen e saj, NATO do të mbetet e përkushtuar për të bërë pjesën e saj, për të kontribuar në stabilitetin këtu”, shtoi Breedlove. “Ne do të mbajmë një prezencë fleksibile, parandaluese dhe do të bëjmë ndryshime vetëm atëherë kur situata e sigurisë e lejon një gjë të tillë”, theksoi ai.

Më vonë në orët e pasdites, Gjenerali Breedlove u takua me Presidenten e Kosovës dhe Kryeministrin. Ata i shprehën Gjeneralit Breedlove vlerësimin për kontributin e rëndësishëm të bërë nga ushtarët e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurtë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë”, tha Breedlove.

Me përfundimin e vizitës, Gjenerali Breedlove shfrytëzoi mundësinë për të ngrënë shujtën e mëngjesit me trupat dhe udhëheqësit.

“Unë dua të falënderoj secilin nga të gjithë ju për punën e madhe që po bëni këtu, ne nuk do të ishim të suksesshëm pa përkushtimin dhe përpjekjen tuaj”, tha Breedlove.(kosovapress)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: