Dinamo do të luajë të shtunën ndeshjen e javës së shtatë të Superiores, ku përballë do të ketë Egnatian. “Nëndetësja” do të udhëtojë drejt Rrogozhinës, ku e pret një ndeshje delikate dhe e vështirë, duke parë faktin se rrogozhinasit janë në një moment shumë të mirë.

Daja ka nisur përgatitjet për këtë sfidë prej ditësh, duke e pasur grupin me mungesa, për shkak të angazhimit të lojtarëve me skuadrat Kombëtare, teksa ka zhvilluar edhe një miqësore ndaj Korabit, sfidë e cila u mbyll me fitoren e bluve 3-0.

KOMBËTARJA- Naser Aliji ishte pjesë e Kombëtares shqiptare, duke u aktivizuar në ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë ndërkohë qe Hekuran Berisha luajti me U21 e Kosovës. Me të rinjtë e Shqipërisë, është aktivizuar edhe Bjorni Duka në miqësoret ndaj Irlandës, teksa pjesë e kuqezinjve ka qenë edhe trajneri i portierëve, Ilir Bozhiqi. Këto mungesa, ndikojnë jo pak në rendimentin e stërvitjes së Dinamos, duke mos i dhënë mundësi stafit teknik që të përgatisë ekipin me grup të plotë.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo ka qenë e plotë në ditët e fundit veç lojtarëve të Kombëtares, teksa ditën e djeshme ka shfaqur probleme mesfushori Karamba. Për të mos e rrezikuar më shumë, stafi teknik ka menduar që ta lënë të stërvitet individualisht dhe ditët në vijim, do të rivlerësohet gjendja e tij.

Mungesë në ditën e djeshme ishte edhe ajo e Hekuran Berishës. Sulmuesit kosovar i është lejuar që të qëndrojë edhe një ditë më shumë ndërkohë që Aliji është bashkuar ditën e djeshme me skuadrën. Pjesa tjetër e grupit ka qenë e plotë dhe atmosfera në skuadër duket mjaft pozitive pas fitoreve të fundit që ka marrë “nëndetësja”.

NDESHJA- Sfida ndaj Egnatias, do të zhvillohet ditën e shtunë në stadiumin “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 17:00. Kjo është sfida e parë për këtë sezon mes dy skuadrave, teksa sezonin e fundit janë përballur së bashku edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që në dhjetor do të luajnë finalen e Superkupës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb