Në fjalimin e sotëm, Edi Rama (sot po e pagëzojmë si z. BelEdi) zgjodhi sërish të sulmojë SPAK-un dhe median e lirë. Nuk është rastësi.

Prej ditësh mediat kanë paralajmëruar zhvillime të rëndësishme dhe hetime që do të prekin njerëz të lidhur me pushtetin dhe me krimin. Kur një kryeministër nervozohet kaq shumë nga drejtësia dhe nga media, lind pyetja e thjeshtë: Mos vallë frika është personale?

Zoti BelEdi u përpoq të paraqitet si mbrojtës i bashkëpunëtorëve të tij, kur vlerësoi me superlativa ish-zëvendësen e tij Belinda Balluku. Por kur mbron Ballukun, në të vërtetë ai mbron veten e tij. E kemi parë këtë skenar edhe më parë. Njësoj si me Gjykatën Kushtetuese dikur, sot përpiqet të përdorë edhe grupin parlamentar si një mburojë politike përballë drejtësisë.

Madje sot u shfaq edhe si mbrojtës i Erion Veliajt, ndërkohë që më herët e la të vetëm, e shkarkoi dhe ndërroi stafin e tij në Bashki në emër të nevojës që kryeqyteti ka për kryetarin. Kjo është politika e tij; një ditë të sulmon, ditën tjetër të mbron, gjithmonë sipas interesit të momentit.

Sot pamë edhe një herë aktorin e madh të politikës shqiptare, z. BelEdi, atë që njerëzit e rëndësishëm një ditë i shan dhe ditën tjetër u serviloset kur i duhen. Mjafton të shihje mimikën dhe tonin për të kuptuar nervozizmin pas gjithë atij spektakli.

Po ashtu, z. BelEdi foli sot edhe për rrugët dhe investimet, duke i cilësuar ato “vepra historike”. Por edhe ai vetë, ashtu si gjithë shqiptarët, e panë se çfarë ndodhi vetëm pak ditë më parë me rrugët dhe bllokimin e Juglindjes. Realiteti në terren flet shumë më fort sesa propaganda nga karrigia e pushtetit.

Ai sulmon median për denoncimet që bën, por media nuk është fajtore për gropat dhe çarjet në asfalt, as për shembjet e rrugëve apo për tunelet që pikojnë ujë. Media nuk është fajtore as për kostot marramendëse të rrugëve në Shqipëri, që arrijnë deri në 4 fishin e kostove në vendet fqinje si Kosova apo Mali i Zi. Shqiptarët e njohin mirë këtë diferencë, sepse i përshkojnë shpesh edhe rrugët në vendet fqinje dhe e shohin qartë ndryshimin me realitetin këtu, ku gropat shfaqen shpesh menjëherë pas inaugurimit.

Prandaj fjalët e z. BelEdi sot dukeshin më shumë si një përpjekje për të mbuluar skandalet e korrupsionit, një përpjekje që vështirë se mund të ketë sukses. Sepse, siç thotë populli, dielli nuk mbulohet me shoshë.

Ai përmendi sërish korrupsionin dhe drejtësinë, por harron një fakt të thjeshtë, SPAK-u që sulmon është pikërisht institucioni që vetë e votoi dhe e ngriti si simbol të reformës në drejtësi. Nëse drejtësia funksionon dhe fillon të trokasë te pushteti, kjo është pikërisht ajo që shqiptarëve iu premtua.

Për herë të parë z. BelEdi përmendi sot “stacionin e trenit”. Në politikë metaforat shpesh thonë më shumë se vetë fjalët. Dhe kush është afër trenit, dihet.
Prandaj mesazhi është i qartë. Treni po niset. Kush ka frikë nga drejtësia, le të nxitojë, sepse vendet janë shumë të pakta!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb