Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur një konferencë për shtyp sot nga ambientet e KQZ-së, duke ngritur shqetësime të rëndësishme për standardet dhe organizimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai theksoi se reforma zgjedhore është një domosdoshmëri për rrugëtimin europian të vendit dhe duhet të trajtohet si prioritet i përbashkët i Kuvendit dhe qeverisë shqiptare.

“Çështja e integrimit në BE është prioritet absolut, por në këtë rrugë nuk mund të anashkalohen problematikat që lidhen me procesin zgjedhor,” u shpreh Celibashi, duke kërkuar një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse që të adresojë një sërë çështjesh teknike, administrative dhe politike.

Celibashi ngriti shqetësimin për përbërjen aktuale të komisioneve zgjedhore në nivelet e dyta dhe të treta, që janë përbërë vetëm nga përfaqësues politikë. Sipas tij, ky model ka dështuar dhe ka ndikuar negativisht në integritetin e procesit.

“Administrimi profesional i zgjedhjeve është thelbësor. Vetëm përfaqësimi politik nuk garanton besueshmëri dhe efikasitet,” theksoi ai.

Kreu i KQZ-së kërkoi rregulla më të qarta mbi financimin e partive politike dhe fuqizimin e kompetencave të KQZ për të verifikuar raportet financiare.

“Nuk mund të kemi zgjedhje të ndershme pa transparencë në financim. Financimi i palëve të treta dhe fushatat në internet janë ende të parregulluara – kjo përbën rrezik real për procesin,” tha Celibashi.

Një tjetër pikë kritike ishte përdorimi i institucioneve publike në funksion të fushatës zgjedhore. Celibashi kërkoi përcaktime të qarta për kufijtë e veprimit të funksionarëve publikë në periudhën para zgjedhjeve.

“Nuk mund të vazhdojmë me një situatë ku administrata shtetërore keqpërdoret për qëllime elektorale. Duhet një ndarje e qartë mes detyrimit ligjor dhe angazhimit politik,” u shpreh ai.

Celibashi kërkoi që politika të marrë vendime të shpejta mbi zgjerimin e votimit elektronik dhe përdorimin e teknologjive të reja. Ai theksoi se përgatitja për këtë proces kërkon kohë dhe planifikim të mirëfilltë.

Në lidhje me numërimin e votave, ai shprehu preferencën personale për numërimin në qendrat e votimit, por kërkoi një vlerësim serioz të kapaciteteve organizative për ta bërë të mundur këtë ndryshim.

“Numërimi i përqendruar ka sjellë probleme të mëdha me saktësinë dhe transparencën. Duhet të diskutojmë alternativa të tjera më efikase,” deklaroi ai.

Në lidhje me shqyrtimin e ankimimeve zgjedhore, Celibashi vlerësoi se nuk është më e përshtatshme që kjo të bëhet nga Kolegji Zgjedhor dhe propozoi që të mendohet ngritja e një gjykate të posaçme.

“Është koha për ta shkëputur këtë kompetencë nga Kolegji Zgjedhor – është në interes të drejtësisë zgjedhore që të kemi një mekanizëm më të pavarur dhe më të besueshëm,” tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se duhet rishikuar vetë struktura e KQZ-së dhe kompetencat e tre trupave të saj përbërëse, në mënyrë që të reflektojnë më mirë nevojat aktuale të procesit.

Një tjetër temë me rëndësi ishte votimi nga jashtë vendit, ku Celibashi kërkoi rishikim të mënyrës së votimit për diasporën.

“Nuk është e pranueshme që në vitin 2025 Shqipëria të mos krijojë kushte për qytetarët e saj që nuk mund të lëvizin fizikisht për të votuar. Duhet të diskutojmë seriozisht opsionet si votimi me postë, përmes internetit apo nëpërmjet ambasadave,” përfundoi ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb