Komisioni Evropian i ka transferuar Ukrainës 66 milionë euro për restaurimin e shkollave të shkatërruara nga bombardimet e armikut.

Lajmi u njoftua nga Katarina Mathernova, Zëvendës Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë së Komisionit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, e cila gjithashtu shërben si ushtruese e detyrës së kryetares së Grupit Mbështetës për Ukrainën në Komisionin Evropian.

“Komisioni Evropian ka disbursuar 66 milionë euro në buxhetin e Ukrainës për rindërtimin dhe rehabilitimin e objekteve shkollore që janë dëmtuar gjatë luftës brutale ruse kundër Ukrainës”, shkroi ajo në Twitter.

Bashkimi Evropian dhe Ukraina nënshkruan javën e kaluar një marrëveshje për një paketë mbështetëse prej 100 milionë eurosh për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga lufta.

Paketa e ndihmës përfshin 34 milionë euro ndihmë humanitare, nga të cilat 20 milionë euro të kanalizuara përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) dhe 14 milionë euro përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Kjo mbështetje do të fokusohet në riparime të lehta dhe të mesme, duke përfshirë riparimet e dritareve, çatisë, dyerve, pajisjeve sanitare dhe ngrohjes, si dhe ofrimin e pajisjeve të klasës në hapësirat e mësimit dhe strehimoret e bombave.

66 milionë euro do t’i jepen drejtpërdrejt qeverisë së Ukrainës si mbështetje buxhetore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb