Hakërimi të dhënave të sistemit TIMS përbën një nga cenimet më flagrante të sigurisë kombëtare në vend. Papritur, në sistemin e hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitar pati ndërhyrje të jashtme dhe mjaft të dhëna u fshinë ose përfunduan në duar të gabuara.

Sot u mësua se SPAK ka nisur një procedim penal në lidhje me këtë skandal, për të cilin në vitin 2024 u arrestua Ervin Muça, drejtori i IT në Policinë e Shtetit, i cili akuzohet se ka vjedhur dhe ka shitur sistemin TIMS.

Në një përgjigje që SPAK i ka kthyer denoncuesit F.D. i cili me 9 prill 2025 ka bërë një denoncim për ndërhyrjen në sistemin TIMS, ngjarje kjo e ndodhur në data 2-3 gusht 2023, thuhet se “Prokuroria e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bazë të materialit kallëzues të depozituar nga F.D. ka regjistruar procedim penal”.

‘Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake’, thuhet në përgjigjen e SPAK.

Edhe Komisioni Hetimor parlamentar të drejtuar nga ish-deputeti i PD, Ervin Salianji gjeti një mori abuzimesh dhe zyrtarë të lartë të përfshirë në këtë skandal.

Opozita lëshoi akuza të ashpra ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Taulant Balla si iniciatori i një veprimi të tillë. Balla u thirr edhe nga Salianji për të dëshmuar para komisionit Hetimor. Salianji bëri përgjegjës ministrin e atëhershëm Balla, paraardhësin e tij Bledi Çuçi dhe disa funksionar të tjerë, të cilët ai tha se duhet të ndiqen penalisht.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb