Miratohet nen për nen projektbuxheti i vitit 2026.
Deputetët e opozitës, gjatë seancës në Komisioni parlamentar të Ekonomisë, propozuan disa amendamente specifike.
Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, kërkoi krijimin e një fondi kontigjent prej 5 miliardë lekësh i cili të shpërndahet brenda muajit mars 2026, si mbështetje financiare për eksportuesit, për të kompensuar efektet negative të dobësimit të euros.
“Amendamenti bazohet edhe në raportin e INSTAT-it, sipas të cilit industria prodhuese shqiptare po kalon një periudhë të vështirë, me ecuri negative, sidomos për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, që përballen me vështirësi pas dobësimit të euros dhe inflacionit, duke qenë nën një regjime taksash më të larta krahasuar me rajonin”, tha Cara.
Sipas deputetit Cara, shpërndarja e këtij fondi do të kompensonte humbjet dhe do të ndihmonte sektorin të ruante kontributin e tij në GDP, që llogaritet rreth 800 milionë euro.
Po ashtu, deputetët e opozitës propozuan rritjen e pagave për sektorin e shëndetësisë me 25%, me një fond total prej 2 miliardë lekësh, duke u fokusuar kryesisht tek zonat rurale.
Në lidhje me masat sociale, u propozuan: rritjen e bonusit të lindjeve, për të kompensuar efektet e shpopullimit, vendosen e minimumit jetik prej të paktën 200 eurosh, për të ulur hendekun në pabarazinë e të ardhurave, si dhe pagesa për invaliditetin dhe familjet në nevojë të mos jenë më të ulëta se vlera financiare e minimumit jetik.
Në sektorin e bujqësisë, deputetët e opozitës propozuan trefishimin e fondit për subvencionet nga 6 në 16 milionë lekë, si dhe rritjen e fondeve për ndërtimin e bajpasit të Elbasanit, ku buxheti i vitit 2026 të mbulojë 20% të vlerës së projektit.
Deputeti i PS, Erion Braçe, tha se propozimet e opozitës nuk janë të plota dhe duhet respektuar balanca fiskale.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të mbështetur bujqësinë pas dëmeve të shkaktuara nga zjarret dhe përmbytjet gjatë vitit. Braçe vuri në dukje se sektori bujqësor ka nevojë urgjente për kompensim të humbjeve dhe mbështetje financiare për të ruajtur prodhimin dhe vendet e punës.
Kryetarja e Komisionit, Milva Ekonomi, theksoi se për momentin nuk ka burime të reja për rritjen e shpenzimeve, prandaj është e nevojshme të respektohen tavanet e të ardhurave dhe të shpenzimeve.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiri, bëri një përmbledhje të historikut fiskal të shtetit shqiptar, duke theksuar se të ardhurat e mbledhura historikisht kanë qenë rreth 25–27% të PBB-së.
Ai theksoi në vitin 2026 të ardhurat pritet të arrijnë rreth 30% të PBB-së dhe shpenzimet rreth 32%, duke theksuar se të dyja parashikohen të rriten gradualisht në vitet e ardhshme, dhe se çdo rritje e shpenzimeve duhet të respektojë tavanet e të ardhurave.
Sa i takon mbështetjes së sektorit të manifakturës, Yzeiri tha se nga viti tjetër, përmes Bankës së Zhvillimit, do të mbështeten sektorët e nënfinancuar, me qëllim rritjen e investimeve dhe eksportit jashtë vendit. Sektorët duhet të bëhen konkurrues, duke mos u mbështetur tek mekanizmat shtetërorë.
Projektbuxheti për vitin 2026 mbështetet te rritja e të ardhurave buxhetore dhe një plan investimesh të orientuar drejt infrastrukturës, energjisë, arsimit dhe bujqësisë, ndërsa një vend të rëndësishëm i kushtohet politikave sociale.
Përveç indeksimit vjetor të pensioneve, parashikohet një fond shtesë për mbështetje të përkohshme për pensionistët me të ardhura të ulëta, me synim ruajtjen e fuqisë blerëse në kushtet e rritjes së çmimeve.
Në kuadër të reformës së pensioneve, qeveria synon të rrisë ndjeshëm nivelet aktuale. Sipas parashikimeve, pensioni urban me vite të plota pune pritet të arrijë deri në vitin 2030 në 40 mijë lekë nga 27 350 lekë që është sot; pensioni urban i pjesshëm në rreth 22 mijë lekë nga 15 850 lekë aktualisht; ndërsa pensioni rural në 18 mijë lekë nga 11 500 lekë.
Gjithashtu, pensioni familjar do të shkojë në 18 mijë lekë nga 11 400 lekë që është sot, ndërsa pensioni i invaliditetit parashikohet të arrijë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë. Efekti financiar i kësaj mase për vitin 2026 llogaritet në rreth 10,4 miliardë lekë dhe do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Për periudhën 2026-2030, efekti kumulativ i reformës së pensioneve vlerësohet në rreth 1,7 miliardë euro.
Projektbuxheti 2026 parashikon gjithashtu rritje të pagave në sektorë të ndryshëm të administratës publike. Paga minimale do të rritet me 10 000 lekë duke arritur në 50 000 lekë nga 1 janari 2026, një masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe privat. Rritje do të ketë edhe për punonjësit mbështetës, mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e rendit dhe ushtarakët.
Projektbuxheti do të kalojë për diskutim nen për nen të enjten në seancë plenare.
