Në Komisionin për Çështjet Ligjore, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka njoftuar risitë e projektligjit ‘Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë’.

Në fjalën e saj deputetja Greta Bardeli tha se projektligji që ka paraqitur Ministria e Shëndetësisë nuk është në përputhje me standardet , duke iu referuar spitaleve të qarkut.

Bardeli: Projektligji që Ministria ka paraqitur nuk është në përputhje me standardet duke iu referuar spitaleve të qarkut. Spitali qendër Shkodër nuk rezulton në listën e spitaleve të akredituara. Mos vallë ky mosakreditim që shumë shërbime po kryhen nga mjekë të dalë në pension. Mos vallë ka lidhje edhe me situatën e dhomave që janë në standarde të ulëta, ku pacientët pasi dalin nga operacioni akomodohen në dhoma ku nuk kanë sistem ventilimi. Në temperaturat e sotme mbi 35 gradë të vendosesh në ato dhoma është e patolerueshme. Shumë medikamente dalin jashtë akreditimit për shkak të mykut dhe lagështirë. Shumë mjekë largohen nga spitali i Shkodër për një pagë më të lartë në Tiranë apo Gjermani.  Si do të veproni ju që kjo që keni paraqitur në letër do të përputhet me realitetin që sot kanë spitalet tona. A do të mbajë kush përgjegjësi?

Rakacolli: Vetë akreditimi është proces që spitali i Shkodrës e ka filluar njësoj si spitalet e tjera. Pra është një koncept që MSH e ka vënë në vëmendje që në mandatin e parë të saj. Pra Spitali i Shkodrës në 2013 ka qenë i mjerueshëm, me një kuzhinë, lavanderi, sallë operacioni skandaloze, pavarësisht nivelit të lartë që ofrojnë mjekët kirurg. Unë do të thoja që tani janë bërë salla me kushte bashkëkohore, pra procesi i akreditimit po ecën dhe po zhvillohet. Madje Shkodra është nga rajonet që referon më pak pacientë në spitalin e Tiranës për faktin që i ka të gjitha shërbimet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb