Autoriteti Italian i Konkurrencës (AGCM) ka vendosur një gjobë prej 1 milion eurosh ndaj kompanisë së modës fast fashion, Shein, për mashtrim ndaj konsumatorëve në lidhje me ndikimin mjedisor të produkteve të saj.

Ky është sanksioni i dytë financiar që Shein merr nga një autoritet evropian brenda pak javësh, pasi Franca e gjobiti kompaninë me 40 milionë euro në fillim të korrikut për zbritje dhe pretendime të rreme mjedisore.

Gjoba iu vendos “Infinite Styles Services Co. Limited”, kompania me qendër në Dublin që operon faqen evropiane të Shein, pas një hetimi të nisur nga AGCM në shtator të vitit të kaluar.

Autoriteti italian ka konstatuar se mesazhet e Shein mbi qëndrueshmërinë mjedisore dhe përgjegjësinë sociale shpesh ishin të paqarta, të përgjithshme dhe në disa raste mashtruese.

Në veçanti, pretendimet për riciklueshmërinë dhe dizajnin ambiental të koleksionit “evoluSHEIN by design” u konsideruan të ekzagjeruara, duke krijuar një imazh të rremë tek konsumatorët për materialet dhe proceset e përdorura.

Shein deklaroi se ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet dhe ka marrë masa për të adresuar këto shqetësime.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb