Emisioni investigativ Vetting | Armand Kullau

Porto Romano, kush është kompania me lidhje ruse?
Një muaj pasi qeveria shqiptare do të autorizonte kompaninë holandeze “Royal Haskoning DHV” për të realizuar të gjithë procedurat, në korrik 2024 Autoriteti Portual Durrës do të hapte tenderin me procedurë të kufizuar me fond limit 39,3 miliardë lekë ose 393 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, faza 1.

Tenderi do të anulohej pasi nuk do të kishte asnjë ofertë të volitshme. Në fund të dhjetorit 2024, Autoriteti Portual do të rihapte tenderin, por gara me dy faza do të shoqërohej me ankesa dhe kundërshtime nga konkurrentët ndërkombëtarë për shkak të skualifikimeve nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.

Skualifikimet e kompanive me reputacion ndërkombëtar kanë ngritur ndryshime për garë të paracaktuar. Në fazën e parë është skualifikuar kompania “Jan De Nul nv”, e cila ka bërë ankesë pasi mungesa e një dokumentacioni për projektet që ka realizuar, nuk mund të jetë pretekst për një kompani që ka realizuar projekte ndërkombëtare të afirmuara.

Problemi më i madh është fakti se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Portual ka refuzuar ta shqyrtojë ankesën sepse sipas ligjit për të shqyrtuar një ankesë duhet paguar 0,5% e vlerës së tenderit, pra konsorciumi i përfaqësuar nga “Jan De Nul nv” duhet të paguante 2 milionë euro për t’iu dëgjuar ankesa.

Ankesa është refuzuar edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik, që ishte nën drejtimin e personit të pandehur nga SPAK, Jonaid Myzyri, tashmë i pezulluar nga detyra. Ky i fundit nuk e ka pranuar ankesën, pavarësisht se kompania ka ngritur problemin se një pagesë e tillë brenda 2 ditësh kërkon kohë për miratime dhe sipas kompanisë, ajo ka qenë në dijeni për ta bërë këtë pagesë pas fazës së kualifikimit dhe jo në fazën parakualifikuese.

Sipas ekspertit Preçi, kuadri ligjor duhet respektuar ashtu siç është, por nuk duhen anashkaluar ankesat.

“Është e vërtetë ajo që thoni ju që është një shumë e madhe, por ajo zhbllokohet pas shqyrtimit të ankesës. Kjo nuk do të thotë që Komisioni i Prokurimit Publik dhe Agjencia e Prokurimit Publik dhe Shërbimet Inteligjente të mos verifikojnë motivet e ankesës dhe të mos marrin vendime”, deklaroi eksperti Preçi për rastin e skualifikimit.

Në fazën e dytë të tenderit kanë kaluar kompania hollandeze “Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V.” dhe një kompani tjetër, e cila ashtu si kompania franceze është skualifikuar me pretekstin se nuk kishte bërë ekuivalentimin e licencave, ndërkohë që holandezët pretendojnë se kjo do të realizohej para nënshkrimit të kontratës në rast të fitimit të tenderit.

Kompania holandeze nuk është mjaftuar me kaq, por ka dërguar letër në Kryeministri, te Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, te Autoriteti Portual i Durrësit, si dhe kanë vënë në dijeni ambasadorin hollandez në Shqipëri për çështjen e tenderit. Skualifikimi i konkurrencës dhe lënia deri në fund të garës të vetëm një kompanie “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, duke e berë automatikisht fituese, ka ngritur pikëpyetje për pronësinë dhe transparencën që kërkojnë projekte të infrastrukturave kritike.

Sipas ekspertit Preçi, Bashkimi Europian ka vendosur rregulla përsa i takon infrastrukturës kritike, nevojës për një mekanizëm “screening”, mekanizëm shqyrtimi të investimeve të kësaj natyre, ku porti bën pjesë te investimet kritike të vendit.

“Këto elementë te ne mungojnë dhe vazhdohet me të njëjtin ritëm. Kjo gjë krijon mundësi dhe përfitime për dikë të dyshuar dhe që është në hetim apo do të hetohet së afërmi dhe në të njëjtën kohë nuk garanton cilësi të veprës publike”, u shpreh eksperti Preçi.

Por ky projekt është kthyer në një thikë me dy presa pasi mund të sjellë probleme jo vetëm me buxhetin e shtetit, por edhe me sigurinë rajonale. Pikëpyetjet për kompanitë e lidhura më parë me kompani apo entitete ruse të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe do të lindnin me kompanitë në fazën e dytë të tenderit për portin e ri.

Më 4 prill 2025, zv.kryeministrja Balluku do të publikonte në faqen zyrtare të platformës “Meta” (Facebook) se në fazën e dytë për ndërtimin e portit të ri kishin kaluar dy kompani, holandezët “Van Oord Dredging and Marine Contractors b.v” dhe kompania greke me seli në Holandë “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”.

Por siç e përmendëm më sipër, hollandezët do të skualifikoheshin dhe në garë do të ngelej kompania “Archirodon”, e cila në fund të janarit 2026 do të shpallet automatikisht fituese si kompania e vetme e ngelur në garë. Publikimi i emrave të kompanisë nga zv/kryeministrja Balluku ngre probleme me transparencën sepse thuhet se kompania është greke me seli në Hollandë ndërkohë që kompania e paraqitur për tenderin e ka degën në Qipro.

Ky vend njihet për përdorimin e strukturave offshore, të cilat, në raste të ndryshme ndërkombëtare janë përdorur edhe nga entitete të sanksionuara, ndërsa identifikimi i pronarëve fundorë kërkon nivele më të larta verifikimi. Sipas ish-zv.Shefit të Forcave Detare Meçollari historitë me “offshore” mund të rezultojnë problematike.

“Kjo mua më bën të dyshoj që këtu kemi në fakt, me pushtetarë shqiptarë sepse shoh një lloj fenomeni, ku kemi kompani “offshore”, ka më shumë qëndrueshmëri dhe rezistencë, për të mos prishur statuskuon dhe kjo të lë të dyshosh”, tha Dr. Meçollari për rastin e offshorit. Kompanitë në zona si Malta dhe Qipro ngrenë pikëpyetje për pronësinë, por edhe për investimet në infrastrukturën kritike si aeroportet, energjia dhe portet. Siç e kemi përmendurr edhe më sipër, kompania “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited” nuk është në Hollandë, por e ka degën në Qipro.

Struktura korporative e kompanisë së përfshirë në projekt shtrihet në Qipro, ku në të kaluarën kanë figuruar edhe individë me role drejtuese ose administrative që kanë pasur lidhje me kompani dhe entitete ruse të sanksionuara nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndonëse nuk përbëjnë provë shkeljeje ligjore, e vendosin projektin në qendër të nevojës për transparencë të shtuar dhe verifikim të thelluar.

Sipas të dhënave publike, kompania qipriote “CYMANCO SERVICES LIMITED” paraqitet në dokumentet zyrtare të Regjistrit të Kompanive qipriote si sekretare e kompanisë që ka fituar tenderin për ndërtimin e portit të ri në Durrës. Ky rol sipas ligjit qipriot është formal dhe ligjor, nuk nënkupton pronësi apo kontroll ekonomik mbi kompaninë, por përfshin akses të plotë në strukturën ligjore dhe funksionimin administrativ të saj.

Të dhënat publike tregojnë se Cymanco Services Limited ka vepruar si sekretare korporative për kompani ku Albert Avdolyan rezulton i regjistruar si drejtor ose figurë e lidhur. Avdolyan është oligark rus i përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian në shkurt 2025.

Në disa raportime investigative ndërkombëtare që dokumentojnë skema të dyshuara korrupsioni dhe devijimi fondesh, ku përfshihen oligarkë ukrainas me lidhje të forta ruse del “CYMANCO SERVICES LIMITED”.

Sipas këtyre burimeve, CYMANCO shfaqet në zinxhirë administrativë dhe ligjor të përdorur në struktura offshore, të lidhura me figura si Dmytro Firtash, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për aktivitete të lidhura me Rusinë, përfshirë marrëdhënie me krimin e organizuar dhe mbështetje të ndikimit rus në Ukrainë, si edhe Mykola Martynenko, ish-deputet ukrainas i hetuar në Zvicër dhe Ukrainë për përvetësim fondesh, ryshfet dhe pastrim parash.

Raportimet e publikuara nga “crime.hab.media” tregojnë se këto skema dyshohet se kanë devijuar fonde nga ndërmarrje shtetërore strategjike ukrainase, përfshirë “United Mining and Chemical Company” (UMCC) dhe “Odesa Port Plant”, duke shkaktuar humbje që tejkalojnë shumën rreth 13 milionë dollarë.

Fondet janë kanalizuar përmes një rrjeti kompanish guackë në Qipro, Austri dhe Zvicër, duke përfituar interesat industriale të lidhura me biznesin e titanit të Firtashit në periudhën para vitit 2014. Sipas të dhënave të publikuara në databaza ndërkombëtare “CYMANCO SERVICES LIMITED” ka qenë me rol sekretarie edhe te “LUKOIL SECURITIES LIMITED”, e cila është në pronësi të grupit Lukoil.

Ky i fundit është një nga korporatat më të mëdha ruse të naftës, e cila ka qenë subjekt i vëmendjes ndërkombëtare për shkak të lidhjeve të saj me shtetin rus dhe përfshirjes në regjime sanksionesh pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Edhe pse jo çdo entitet i lidhur me markën Lukoil është automatikisht i sanksionuar, lidhjet korporative dhe strukturore me këtë grup konsiderohen të ndjeshme nga këndvështrimi i sigurisë dhe transparencës. Së fundmi, në shkurt të vitit 2025 do të sanksionohej biznesmeni Michel Litvak sepse Perëndimi e konsideron atë pjesë të rrethit të biznesmenëve që mbështesin ekonomikisht sektorë strategjikë të Federatës Ruse, në një kontekst të lidhur drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë.

Të dhënat publike tregojnë se edhe tek ky rast, “CYMANCO SERVICES LIMITED” ka vepruar si sekretare korporative në një kompani, ku Litvak ka qenë i regjistruar si drejtor, çka e vendos këtë ofrues shërbimesh në fokus të verifikimeve mbi përputhshmërinë me regjimin e sanksioneve.

Edhe pse kjo kompani ka ndërprerë marrëdhëniet me entitete të sanksionuara, fakti që e njëjta kompani vazhdon të përdoret si sekretare nga “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited”, një kompani e përfshirë në procedura për projekte infrastrukturore strategjike si porti i ri i Durrësit, ngre pyetje legjitime mbi masat e verifikimit dhe menaxhimin e rrezikut ligjor.

Këto pyetje marrin rëndësi shtesë në kontekstin e ndryshimeve të regjimit të sanksioneve të Bashkimit Europian gjatë viteve 2025-2026, ku paketat e reja kanë forcuar ndalimin e anashkalimit indirekt të sanksioneve, kanë zgjeruar përgjegjësinë e kompanive për “due diligence” dhe kanë vendosur theks të veçantë mbi rolin e ndërmjetësve dhe strukturave offshore. “Vetting” komunikoi me kontaktin e medias për NATO-n Noellke Paul, për lidhjet e kompanisë që është në fazën finale të tenderit të portit të ri të Durrësit dhe për çështjet e sigurisë.

Në kthim-përgjigje, NATO deklaroi se përsa i përket kërkesës tonë për ndërtimin e portit të ri, në lidhje me protokollet e sigurisë, për këtë çështje duhet t’i drejtohemi institucioneve shqiptare.

“Vetting” kontaktoi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila deklaroi se kjo çështje nuk lidhet me kompetencat e saj duke ia pasuar përgjegjësinë institucioneve të tjera, ndërkohë që në portin e ri do të ketë një bazë ushtarake në varësi të saj.

Ndërkohë që institucioni që ka realizuar tenderin, Autoriteti Portual i Durrësit përsa i përket pronësisë të kompanisë qipriote dhe lidhjeve të “CYMANCO SERVICES LIMITED” nuk ka patur asnjë reagim zyrtar për “Vetting”.

Edhe institucioni që ka marrë përsipër monitorimin e këtij projekti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka në varësi Autoritetin Portual të Durrësit nuk dha asnjë koment për pronësinë dhe lidhjet e dyshimta të kompanisë në rolin e sekretarisë.

Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku është nën hetim për korrupsion nga SPAK-u pasi dyshohet se ka favorizuar kompani të ndryshme në tenderat e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Prej disa javësh, Prokuroria e Posaçme i ka bërë kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres për të bërë të mundur arrestimin e saj, por ky proces po zvarritet nga Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve.

Për të patur më shumë informacion, “Vetting” kontaktoi drejtpërdrejt kompaninë qendrore në Hollandë të “Archirodon Construction (Overseas) Company Limited” për lidhjet me kompaninë “CYMANCO SERVICES LIMITED”, nëse kishte lidhje me entitete të sanksionuara, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi patur asnjë përgjigje nga kompania.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb