NGA AURORA GOLEMI

TIRANE– U bënë vite që flitet për të drejtat e autorit, dhe pronësinë intelektuale por kjo e fundit vijon të mbetet shqetësuese edhe pse është miratuar ligji i ri.

Krijuesit në vendin tonë, rrallë ose aspak, nuk e kanë përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale.

Në ditën botërore të Pronësisë Intelektuale, krijuesit shqiptarë nuk duken të kënaqur.

Një nga kompozitorët më të njohur për publikun, Aleksandër Lalo, i cili ka krijuar kolonat zanore më të spikatura të kinematografisë shqiptare edhe pse i paftuar për të folur në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Intelektuale mori fjalën papritur pasi dëgjoi për afro 30 minuta fjalimet e tre ministreve të qeverisë. Fjalën e nisi me një kritikë…

“Këto mbledhje mua më duken harxhim parash, harxhim qiraje, etj;”, tha Lalo.

Kompozitori i ka kërkuar llogari ministres Kumbaro për afatet e akordimit të tarifave për punën e tij. Një pyetje e kishte edhe për ministren e Ekonomisë.

“Tani do t’i bëj dy vërejtje të tre ministreve… Çfarë keni bërë për inspektoriatin… Ministres së Ekonomisë, kam konsideratë për Ekonomin më duket grua e mirë grua që punon. Kanë një vit që s’kanë bere asgjë. Çfarë ka bërë Ministra e Kulturës per këto akordimet e tarifave. Kanë një vit që nuk kanë bërë asgjë”, tha kompozitori.

Por pa dëgjuar përgjigjet Lalo është larguar nga salla.

“Kaq ishte fjalimi im se do shkoj të bëj drekën”, tha ai, teksa duartrokitje u dëgjuan në sallë.
“Përgjigjen thuaja këtyre se nuk fola për veten”, tha ai duke iu drejtuar ministres Kumbaro.

Pas kësaj, dy ministret Kumbaro dhe Ekonomi iu janë përgjigjur pyetjeve të kompozitorit Lalo në mungesë të tij.

“Është prova e drejtpërdrejtë sesa janë mëkëmbur të drejtat e autorëve. E përsëris përgjigjen, ligji do kohen e vet për t’u implemetuar. Aktet nënligjore siç është konstituimi i të drejtave të autorit kanë nisur të funksionojnë. Tashmë do përcaktohen tarifat”, tha ministrja Kumbaro.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se “Inspektoriati ka rregulla të reja. Jemi në rrugë të mbarë për metodikat. Tashmë keni një zë ku mund ta tregoni shqetësimin tuaj, dhe ky është Inspektoriati Qendror”.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: