TIRANË- A ka degraduar komunikimi i Lulzim Bashës në 60 ditë në çadër? Gazetarë, analistë e politikanë kanë diskutuar sot në emisionin “Studio e hapur” në News24 mbi deklaratat e kreut të opozitës.

Gazetarja Eni Vasili ndau një eksperiencë personale duke thënë se e ka të vështirë t’ua shpjegojë nipave të saj, të cilëve iu kërkon të mos e thonë fjalën idiot, por ata e dëgjojnë në televizor. Nga ana tjetër, sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma solli si kundërshembull parlamentin të mbushur sipas saj me injorantë e kriminelë.

Për kryeredaktorin e MAPO-s Arion Sulo komunikimi i Bashës ka qenë ekliptik. Ndërkaq drejtori i BalkanWeb Tedi Blushi tha se Basha tregon joseriozitet me deklaratat e tij. Në kundërshtim me ta analisti Ilir Kulla tha se kjo është e vetmja gjë për të cilën s’mund të kritikohet kreu i PD-së, pasi sipas tij është bërë më shqiptar, duke u larguar nga ‘çuni i mamit’.

Arion Sulo: Ka një problem në komunikimin e zotit Basha në këto 60 ditë.

Ka qenë pak ekliptik. pas javës së parë ka bërë edhe ca thirrje për tërheqje zvarrë dhe luftë. U tërhoq menjëherë. E ngre tonin kur nuk shkon mirë pastaj e zbut.

Nuk është normale por nuk janë ato deklarata që e shenjojnë. Është i pasigurt dhe i paklasifikueshëm në këtë.

Tedi Blushi: Me këtë lloj artikulimi Basha tregon joseriozitet. Para tij Berisha, atë që e thoshte sot, ditën e nesërme ishte fakt. Ndërsa Basha tha se Xhafaj do bëhej ministër nëse kalonte mbi trupat e demokratëve e Xhafaj u bë ministër, asgjë nuk ndodhi. Më shqetëson mungesa e seriozitetit në aksionin politik.

Ilir Kulla: Nëse ka ndonjë gjë për të cilën nuk duhet të kritikohet zoti Basha është pikërisht kjo gjë se për 3 vjet Basha ka bërë çunin e mamit. Shohim një Lulzim Basha më shqiptar, më normal. Nga pikëpamja e komunikimit publik më duket një strategji e drejtë. Por mendoj që forca tregohet me aksion dhe jo më fjalë. Lulzim Basha është kritikuar për eksesin e të treguarit i butë dhe që ka qenë larg njerëzve. Por më në fund në çadër pas 4 vitesh nuk dëgjojmë më Berisha-Berisha por Basha- Basha.

Grida Duma: Verbi në politikë është pjesë e një procesi, fillon diku vijon. Jo çdo gjë që shikohet si fjalë është akt. Do varrosim republikën e vjetër, askush nuk mendon që ne do hapim varret kjo është një metaforë.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb