NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Qeveria shqiptare ka shkelur ligjin për dhënien  ekskluzive nëpërmjet kontratave koncesionare duke shmangur haptazi  vlerësimin zyrtar  të Autoritetit të Konkurrencës. Ligji detyron qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera publike që më parë se të firmosin për koncesione ekskluzive duhet të marrin vlerësimin e Autoritetit të Konkurrencës. Një detyrim ky i vendosur në vitin 2010 sipas direktivave të BE. Shkelja e ligjit është bërë për të gjitha rastet e dhënies së të drejtave ekskluzive firmave koncesionare që në disa raste janë kthyer në monopol. Rastet i referohen kryesisht koncesioneve në sektorin e naftës, apo edhe atyre në portin e Durrësit si skanimi në dogana, pullat fiskale apo edhe ngjyrosjes së karburanteve.

Por Autoriteti i Konkurrencës i referohet kryesisht koncesionit për Portin e ri të karburanteve në Porto Romano. Në një intervistë për News 24 Kryetarja Lindita Lati akuzon ministrinë e Transporteve dhe Këshillin e ministrave për shkelje të ligjit të konkurrencës pasi nuk kanë marrë vlerësimin e Autoritetit mbi këtë koncesion.

“Ne u bëmë më dije pasi ishte votuar në parlament atëherë ndërtuam dhe këtë instrument në zbatim të ligjit. Arsyeja se përse ne e kërkojmë këtë është se jemi përgjegjës për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe një nga shtyllat e këtij ligji është pikërisht edhe vlerësimi i të gjitha akteve normative dhe në mënyrë të veçantë të të drejtave ekskluzive, është neni 69 i ligjit dhe ai 70,  i cili përcakton qartas detyrimin e të gjithë institucioneve rregullatore sikurse edhe të gjithë institucioneve që prodhojnë akte normative që mund të sjellin kufizime të lirisë së tregut”, u shpreh Lati.

Por i pyetur nga News 24 mbi këtë çështje ministri i transporteve Edmond Haxhinasto hedh poshtë akuzat e Autoritetit të Konkurrencës.

“Koncesioni i Porto Romanos në Durrës është në përputhje me ligjin”, tha Haxhinasto.

Sipas Latit, ligji për mbrojtjen e konkurrencës shpreh qartë se të drejtat ekskluzive sjellin kufizim të konkurrencës ndaj dhe Autoriteti si garant publik kërkon përdorimin me eficencë të shërbimeve koncesionare.

“Ligji për mbrojtjen e konkurrencës e specifikon qartas që të drejtat ekskluzive dhe të drejtat speciale në thelb sjellin një kufizim të konkurrencës dhe për të patur një vlerësim dhe nga këndvështrimi i ligjit dhe faktet që sjell, ne si një garant publik kërkojmë që kjo e mirë publike të përdoret me eficencë dhe në të mirë të konsumatorit dhe të përdoruesve të këtij shërbimi  Pa dyshim që e drejta ekskluzive është monopol dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk thotë se është e ndaluar të japësh një të drejtë ekskluzive apo një koncesion por mënyra sesi duhet të funksionojë ky koncesion në mënyrë që të mos ketë kosto të ardhshme për biznesin apo për përdoruesin e këtij shërbimi atëherë hyn si garant publik Autoriteti i Konkurrencës”, deklaron Lati.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb