TIRANE- Zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, është marrë në pyetje nga Prokuroria për të dëshmuar në lidhje me koncesionet e hemodializës dhe sterilizimit.

Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria që në dhjetor të vitit 2015, pas publikimeve në media të dyshimeve për abuzime.

Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me procedurat dhe dhënien me koncesion të disa shërbimeve spitalore. Në hetim janë marrë koncesioni për hemodializën me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë, si dhe koncesioni i check-up-it falas.

Fillimisht organi i akuzës ka sekuestruar dhe verifikuar dokumentacionin e nevojshëm në lidhje me procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike dhe më pas ka vijuar me marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për çështjen.

Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: