Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe delegacioni që e shoqëronte morën pjesë në takimin e radhës në kuadër të Task-Forcës, i cili u mikprit nga Policia e Kosovës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar dhe të policive të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, Drejtori i Përgjithshëm u shpreh bashkëpunimi ka dëshmuar se koordinimi në kohë reale, shkëmbimi i informacionit dhe sinkronizimi i veprimeve operacionale janë mekanizma thelbësorë për të prodhuar rezultate konkrete në mbrojtjen e qytetarëve tanë,

Fjala e plotë;

“Bashkëpunimi ynë në kuadër të kësaj Task-Force ka dëshmuar se koordinimi në kohë reale, shkëmbimi i informacionit dhe sinkronizimi i veprimeve operacionale janë mekanizma thelbësorë për të prodhuar rezultate konkrete në mbrojtjen e qytetarëve tanë, forcimin e sigurisë kufitare dhe goditjen e rrjeteve kriminale të përfshira në migracionin e paligjshëm.

Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin dhe zgjerimin e këtij partneriteti strategjik, duke besuar se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit rajonal, shkëmbimit të inteligjencës dhe operacioneve të koordinuara mund të prodhojmë rezultate të qëndrueshme dhe të godasim në mënyrë efektive rrjetet kriminale ndërkufitare.

Jam i bindur se ky takim do të shërbejë jo vetëm për të analizuar rezultatet e deritanishme, por edhe për të ndërtuar hapa të rinj konkretë drejt një qasjeje më të unifikuar, më proaktive dhe më efikase në përballjen me migracionin e paligjshëm dhe kërcënimet që burojnë prej tij.“

Gjatë konferencës, vendi mikpritës, Kosova, vlerësoi kontributin e Policisë shqiptare në këtë Task-Forcë, dhe për anëtarësimin e Policisë së Kosovës, në të.

Gjithashtu, Zëvendësdrejtoresha e Inteligjencës së Home Office në Mbretërinë e Bashkuar, zj. Vikki Pullen, vlerësoi angazhimin e policive rajonale në kuadër të Task-Forcës.

Pjesëmarrësit u angazhuan për thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të koordinimit operacional ndëmjet tyre, me qëllim përmbushjen efektive të objektivave të vënë në kuadër të Task-Forcës.

Operacionet e përbashkëta policore, të zhvilluara në kuadër Task-Forcës së Përbashkët për Migracionin, dhe të koduara “Mareëood”, “Esterëick”, “Nomada” dhe “Venton” kanë rezultuar me goditjen e disa rrjeteve kriminale në fushat e transportimit të emigrantëve, lëvizjes ilegale drejt shteteve të BE-së dhe pastrimit të parave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: