Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka përshëndetur arritjen e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals”, gjatë Konferencës Ndërqeveritare të zhvilluar sot mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në deklaratën e tij në Facebook, diplomati gjerman e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke përgëzuar qytetarët shqiptarë, si edhe përfaqësuesit e politikës, administratës dhe drejtësisë për angazhimin e tyre në këtë drejtim.
“Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias”, shprehet ai.
Reagimi:
Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare të ditës së sotme me Shqipërinë në Bruksel, Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner u shpreh:
Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e “Fundamentals“ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.
Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "
Balkanweb" mjafton të klikoni:
Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb