Një tjetër rast me virusin e Nilit Perëndimor është konfirmuar në Shqipëri, duke e çuar në dy numrin e personave të prekur gjatë këtij viti.

Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Kristina Belba.

Edhe rasti i dytë është evidentuar në Korçë, i njëjti qark ku u regjistrua edhe infektimi i parë për vitin 2026.

Rasti i parë u konfirmua gjatë muajit gusht dhe bëhej fjalë për një 72-vjeçar nga Korça. Pas shfaqjes së problemeve shëndetësore, i moshuari iu drejtua Spitalit Rajonal të Korçës, ndërsa analizat konfirmuan praninë e virusit të Nilit Perëndimor.

Pas rastit të parë, Instituti i Shëndetit Publik nisi hetimin epidemiologjik dhe entomologjik në qarkun e Korçës, me specialistë që dolën në terren për të verifikuar praninë e mushkonjave që mund të transmetojnë virusin. U morën gjithashtu mostra nga banorë të zonës për kryerjen e analizave.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht te njerëzit përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në pjesën më të madhe të rasteve infeksioni kalon pa simptoma, ndërsa te personat që shfaqin shenja mund të ketë temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera dhe të vjella. Në raste të rralla, infeksioni mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë forma të rënda të sëmundjes.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb