Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se pas kontrolleve të vazhdueshme, është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit.

Pas diagnostikimeve në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR në një fermë me dele në këtë fshat.

“Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu. Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale”, thuhet në njoftim.

Masat që ka ndërmarrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për parandalimin e përhapjes së PPR-së janë kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zonat tjera, si dhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë.

AUV u ka bërë thirrje fermerëve që të kenë kujdes të vazhdueshëm.

“Për fermerët: Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre.Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundjeje dhe të mbrojmë blegtorinë tonë”, thuhet në njoftim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb