Avokati Genc Gjokutaj shprehet se vendimi i Gjykatës për shtyrjen e seancës për konfiskimin e pronave me VKM, është vetëm një artificë.
Në një lidhje direkte me studion e lajmeve në News24, ai u shpreh se arsyeja e dhënë sot nga GJK, për autorizimin nga 28 deputetët e PD, nuk është shkak i vërtetë, pasi nëse do të ishte kështu, atëherë do të ishte evidentuar që në seancën e parë.
“Çështja është delikate nga objekti i saj, vullneti opozitar që është çuar me të drejtë nga deputetët në gjykatë. Kjo gjykatë ka kaluar për gjykim pra do të thotë që ka një problem aty për t’u gjykuar.
Hera e dytë që shtyhet, shkaku i sotëm nuk ka qenë prezent herën e parë, ka pasur një shkak tjetër. Pra nëse këto do ishin vërtetë shkaqe, bashkë me pretendimin e seancës së parë, duhej të shtonin edhe këtë të sotëm”, tha ai.
Më tej avokati u shpreh se Gjykata duket se po gërmon për të gjetur shkaqe të ndryshme, ndërsa shton se reagimi i Edi Ramës në Twitter, ka trysnuar trupën gjykuese.
“GJK në çdo seancë mundohet të rrëmojë shkaqe të ndryshme për të shtyrë seancën. Mundohet të gjejë artifica deri sa të ndodhë çfarë të ndodhë.
Pretendimi sot bie ndesh me praktikën e gjykatës. Ndërhyrja hapur nga kryeministri përmes një statusi në Twitter, e ka trysnuar Gjykatën”, deklaroi Gjokutaj.
