Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Beqja, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe sulmin e SHBA-së në Iran, gjatë një interviste në emisionin Log. në News 24.
Beqja theksoi se presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një veprim të menduar strategjikisht, duke ekzekutuar një operacion të jashtëzakonshëm që synonte dëmtimin e arsenalit bërthamor iranian, pa përfshirë SHBA-në drejtpërdrejt në një luftë.
Ai nënvizoi se ndërhyrja është pjesë e një loje të zgjuar politike, ndërsa vetë Irani ka pranuar se dëmtimi mbi arsenalin bërthamor ka qenë i ndjeshëm, edhe pse përmasat e plota nuk janë ende të qarta.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Mentor Beqja: SHBA nuk ka mik vetëm Izraelin, por edhe vende të tjera në Lindjen e Mesme, që janë myslimane. Donald Trump ka bërë një lojë politike të zgjuar. Irani ka qenë pala më pak e interesuar për luftë. Izraeli ka pasur interes për luftë dhe donte të tërhiqte SHBA që të përfshihej në luftë.
Amerika nuk donte të hynte në luftë, por SHBA donte të dëmtonte arsenalin bërthamor të Iranit, duke qenë se Izraeli frikësohet se Teherani po prodhon arsenal bërthamor. Trump ka ekzekutuar një operacion të jashtëzakonshëm. Irani vetë ka thënë se dëmtimi është substancial, se dhe vetë ata nuk e dinë sa është dëmtimi realisht.
