Medlir Mema, pedagog, në një intervistë në News 24, komentoi konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Mema tha se nëse ndalen raketat dhe bombardimet në Iran apo Izrael, i hapet rruga negociatave.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të sulmohet në këtë formë centrali bërthamor në Iran. Konflikti Izrael-Iran është zhvillim i përmasave botërore. Nga kjo situatë, Irani mund të heqë programin bërthamor ose ta përshpejtojë atë. Nëse ndalen bombardimet dhe raketat, i hapet rruga negociatave. Tre shtete kanë pasur mundësi që të kenë armë bërthamore dhe kur kanë dorëzuar armët bërthamore, janë dobësuar. Kështu ka ndodhur me Irakun, Sirinë dhe Libinë”, tha Mema.
Më tej, Medlir Mema shtoi se Trump ishte i ashpër ndaj Izraelit, sepse e di që shteti izraelit dëshiron të vijojë konfliktin dhe donte ta ndalte Tel Avivin në këtë ‘rrugë’.
“Donald Trump kishte programin e tij. Amerika u fut në konflikt me Iranin. Izraeli nuk arriti qëllimet e tij dhe më i pakënaquri në këtë situatë është pikërisht Izraeli. Trump ishte i ashpër me Izraelin, sepse shteti izraelit do që konflikti të vazhdojë. Trump dëshiron ta mbyllë konfliktin dhe të kthehet në tryezën e negociatave. Qëllimi kryesor i Izraelit ishte përmbysja e regjimit në Iran, por që nuk e arriti dot, së paku deri më tani”, deklaroi Mema.
