BBC po raporton nga Gjeneva se çfarë po ndodh me bisedimet në Zvicër mes Izraelit dhe Iranit. Atmosfera është e zymtë në hotelin luksoz në Gjenevë, ku po vazhdojnë në mbrëmje vonë bisedimet mes ministrave të jashtëm evropianë dhe homologut të tyre iranianë. Bisedimet që po zhvillohen në Zvicër mund të përcaktojnë drejtimin e një lufte në përshkallëzim.
Kjo është hera e parë që ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, takohet ballë për ballë me disa nga homologët e tij perëndimorë që kur Izraeli e sulmoi vendin e tij një javë më parë. Para se të bashkohej me ta, ai iu drejtua Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Zvicër.
Ambasadori izraelit në OKB në Gjenevë, Daniel Meron, lëshoi një deklaratë duke shprehur kundërshtimin e tij të ashpër ndaj faktit që Araghchi mori fjalën në këshill – një përplasje e vogël krahasuar me përshkallëzimin e madh ushtarak që po ndodh në terren në të dy vendet. Këto bisedime në Gjenevë shihen si një përpjekje e fundit për të gjetur një rrugëdalje përmes negociatave.
Burime thonë se Iranit po i kërkohet që të ndalë plotësisht pasurimin e uraniumit – një kërkesë që Irani gjithmonë e ka refuzuar, duke këmbëngulur se kjo shkel të drejtën e tij për një program bërthamor paqësor. Por kjo është gjithashtu një kërkesë ultimative e Shteteve të Bashkuara.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, mbërriti në Gjenevë me një fluturim gjatë natës nga Uashingtoni me një mesazh të qartë për të përcjellë këtu. Teherani mund të përballet me një zgjedhje jo aq të dëshiruar.
