Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së lirisë, Tedi Blushi ka publikuar mesazhin kërcënues që ka marrë presidenti i PL, Ilir Meta.

Gjithashtu ai ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama ,duke thënë se konflikti mes Ramës dhe Metës në 2019 lidhet me emrat e Gjykatës Kushtetuese.

Fjala e plotë:
Për të shmangur çdo keqkuptim dhe keqinterpretim të qëllimshëm, sot po bëjmë publike provën që konfirmon kërcënimin e ushtruar ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në nëntor 2019, për shkak të qëndrimit të tij lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Presidenti Meta nuk bën bllofe, nuk sajon ngjarje dhe as nuk bën deklarata pa fakte.
Për këtë arsye, publikimi i kësaj prove është një detyrim ndaj së vërtetës dhe opinionit publik, veçanërisht kur seancat gjyqësore të tij zhvillohen me urdhër të Edi Ramës në kushte “errësire” dhe “bunkerizimi” që pengojnë transparencën dhe informimin e drejtë të qytetarëve.
KONTEKSTI I PËRPLASJES PËR GJYKATËN KUSHTETUESE
Konflikti institucional mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Rama në vitin 2019 lidhej drejtpërdrejt me përpjekjet për të ndikuar procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në qendër të debatit ishte manipulimi me qëllim që Ardian Dvorani, në atë kohë kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), i bëri procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përmes një skenari mafioz, që jo vetëm e la vendin 3 vite pa Gjykatë Kushtetuese por edhe synonte rrëmbimin e saj të plotë nga Edi Rama.
Arsye për të cilën, Presidenti Meta e kallëzoi penalisht Dvoranin për shkelje të procedurave dhe të kompetencave kushtetuese të Presidentit, për llogari të Edi Ramës.
Në këtë proces të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta, në përputhje të plotë me kompetencat që i njihte Kushtetuta, emëroi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mazhoranca socialiste këmbënguli në skenarin e rrëmbimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkonte të impononte me forcë emërimin e Arta Vorpsit.
Më 11 nëntor 2019, Arta Vorpsi, siç edhe dihet, kreu atë akt skandaloz që u bë e njohur si «betimi te Lana», pra në vend që të betohej para Presidentit të Republikës siç Kushtetuta e kërkon, ajo zgjodhi të kryente betimin para një notereje private.
Kujtojmë se për të gjitha qëndrimet plotësisht kushtetuese, Presidenti Meta triumfoi edhe në Komisionin e Venecias, që i dha plotësisht të drejtë.
TAKIMI I 10 NËNTORIT DHE MESAZHI KËRCËNUES I 11 NËNTORIT 2019
Një ditë para “betimit te Lana” të Arta Vorpsit, më 10 nëntor 2019, Presidenti Ilir Meta priti në institucionin e Presidencës drejtuesit e ambasadave më të angazhuara për Reformën në Drejtësi.
Në këtë takim mori pjesë edhe Avokatja e Popullit e ftuar nga Presidenti i Republikës.
Në atë takim, ai i informoi për zhvillimet dhe shqetësimet serioze lidhur me përpjekjet e Kryeministrit Edi Rama për të ndikuar dhe kontrolluar procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Si dëshmitar i drejtpërdrejtë i këtij takimi, mund të konfirmoj se ambasadorët bënë “të paditurin” dhe shprehën gatishmërinë për të ndërhyrë me qëllim që, sipas tyre, të mos lejohej konflikti Kuvend-President për çështjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kujtojmë se para këtij takimi Presidenti Meta i ishte drejtuar disa herë zyrtarisht Z. Dvorani si kryetar i KED për të respektuar radhën dhe Kushtetutën.
Këto shkresa i ishin dërguar përherë për dijeni edhe ambasadave të BE dhe SHBA.
Por, të nesërmen, më 11 nëntor 2019, ndërsa Presidenti Meta ndodhej në Francë në Forumin e Parisit për Paqen, mbërriti një mesazh nga një ambasador europian.
Mesazhi përcillte qëndrimin e ambasadorëve dhe kërkesën për t’ia komunikuar paraprakisht qëndrimin e tyre Presidentit të Republikës.
Mesazhi ishte ky:
«Mirëmëngjes Beni. I takova kolegët e mi amerikanë dhe të BE dhe folëm me Ramën në telefon dhe nuk e mbështesin pozicionin e presidentit për pezullimin. Ata besojnë që Arta Vorpsi tani është caktuar si rezultat i mekanizmit zhbllokues dhe ata do të dalin sot publikisht dhe kemi rënë dakord që unë do të njoftoja më parë për këtë gjë.
Rama megjithatë ra dakord që Marsida Xhaferllari të jetë në listën e presidentit për nominim për tjetrën. Rama nuk do përpiqet të bllokojë këtë.
Sërish m’u kërkua që t’jua kaloj këtë mesazh juve».
Ky mesazh ishte dëshmi e qartë se këta ambasadorë në koordinim me Edi Ramën kërkonin ta vendosnin Presidentin e Republikës para faktit të kryer që ai të pranonte emërimin antikushtetues të Arta Vorpsit, duke i ofruar si pazar emërimin e Marsida Xhaferllarit për një vend të ardhshëm në Gjykatën Kushtetuese.
Pra, Presidentit po i kërkohej që nëpërmjet presionit mafioz të pranonte rrëmbimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të shkelte drejtpërdrejt kompetencat e tij kushtetuese.
PSE U RIKTHYE KJO ÇËSHTJE NË SEANCËN GJYQËSORE?
Presidenti Meta e përmendi këtë ngjarje gjatë gjykimit në themel për dy arsye kryesore. Se siç nuk ka pranuar asnjë presion të paligjshëm ndërkombëtar për të shkelur Kushtetutës me qëllim që Edi Rama të kapte sistemin gjyqësor do çmontojë çdo përpjekje manipulative të miqve të McGonigalit për të manipuluar këtë proes
Së dyti, për t’u kujtuar prokurorëve dhe gjyqtarëve të Edi Ramës se cili është fundi i atyre që përdoren prej tij.
Dvorani, megjithëse u shpall «Kampion Kundër Korrupsionit» falë lobimit të Edi Ramës, Yuri Kim dhe George Sorosit, në dhjetor vitin 2022 mori vetëm 14 vota për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Arta Vorpsi vetëm 2 vota.
Së treti, Presidenti Meta e rikujtoi këtë mesazh kërcënues për t’i vënë në vëmendje gjykatës dhe SPAK-ut detyrimin për të hetuar plotësisht çështjen e kontratës së lobimit në SHBA mes LSI-së dhe GSIS-it, pa përjashtuar asnjë fakt, person apo rrethanë që mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.
Duhet kujtuar se, lidhur me çështjen McKeon Group, autoritetet gjyqësore amerikane kanë konfirmuar në nëntor 2024 se Ilir Meta nuk ka shkelur asnjë ligj amerikan dhe nuk është konstatuar asnjë lobim i paligjshëm prej tij, ndërkohë që në shtator 2024 kishte ardhur një letërporosi e manipuluar nga Departamenti i Drejtësisë, që u përdor si fakt për rrëmbimin e tij kriminal më 21 tetor 2024.
Edhe për kontratën LSI-GSIS, qëndrimi i Presidentit Meta është i qartë dhe i pandryshueshëm.
Zbardhja e plotë e letërporosive për këtë çështje do provojë manipulimet e qëllimshme për të justifikuar paraburgimin kriminal politik të Z. Meta, siç provohet nga vendimi i një gjykate amerikane, që për 2 vite LSI të mos ketë të drejtë të marrë informacione.
Po kështu, z. Meta ka dëshmuar gatishmërinë e tij për transparencë të plotë, duke deklaruar se është i gatshëm të paraqitet në çdo kohë përpara autoriteteve dhe gjykatave amerikane, nëse thirret prej tyre sepse Ilir Meta nuk është as gruaja e Bilalit dhe as korruptuesi i McGonigalit.
103 KËRKESAT PROCEDURALE: E DREJTA PËR NJË GJYKIM TË RREGULLT DHE TRANSPARENT
Në funksion të transparencës, llogaridhënies publike dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë publike 103 kërkesat procedurale të paraqitura pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Këto kërkesa mbështeten në Kushtetutën e Shqipërisë, legjislacionin në fuqi dhe veçanërisht në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.
Qëllimi i tyre është garantimi i një gjykimi të plotë, shterues, transparent dhe në përputhje me standardet e procesit të rregullt ligjor, ku çdo kërkesë të shqyrtohet dhe çdo pretendim të marrë përgjigjen e argumentuar që meriton.
E VËRTETA NUK MUND TË BUNKERIZOHET!
Ne sigurojmë opinionin publik se do të vijojmë të bëjmë publike çdo fakt dhe dokument që ndihmon në zbardhjen e së vërtetës dhe garantimin e një procesi të drejtë dhe të rregullt ligjor, pavarësisht se derimë tani ai është “bunkerizuar” nga Edi Rama, pikërisht për faktin se hetimet kanë prodhuar një “vrimë në ujë” kundër Ilir Metës.
Zero provë dhe fakt penal, zero akt të paligjshëm, zero qindarkë të paligjshme, zero pasuri të paligjshme, zero dëm interesit publik dhe kombëtar, zero kundërvajtje administrative.
Asnjë presion politik ndaj gjyqësorit, asnjë ndërhyrje dhe asnjë përpjekje për të kufizuar transparencën nuk mund ta zëvendësojë provën, ligjin, Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: