Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Situata”, duke zbardhur rrethanat e një konflikti mes disa personave që ndodhi rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar 10 personat e përfshirë. Katër prej tyre janë arrestuar, katër të tjerë po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa dy janë shpallur në kërkim. Nga vendngjarja janë sekuestruar një thikë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Sipas policisë, u arrestuan shtetasit Rezar Zaimi, Kevin Kocibellinj, Stiven Fezollari dhe Rolf Fezollari dhe u shpallën në kërkim Frenki Fezollari dhe Cercis Brahimllari.
Katër persona të tjerë, të përfshirë në konflikt, janë proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti nisi pasi Rolf Fezollari kishte fyer një 17-vjeçar. Pas kësaj, i mituri dhe disa miq të tij janë përfshirë në një konflikt fizik me R. F., vëllain e tij S. F. dhe persona të tjerë që ndodheshin me ta.
Më pas, 17-vjeçari dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së dy vëllezërve. Sipas Policisë, nga banesa dyshohet se F. F. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të dëmtuar.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin me prova ligjore të plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
