Këshilltari për Cështjet Ekonomike në PD dhe njëkohësisht NënKryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, ka reaguar ndaj konfliktit në Ksamil të ndodhur ditën e djeshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Teliti ka dënuar me forcë dhunën e ushtruar, ndërsa ngre shqetësimin e politikave qeveritare dhe vendimeve shtetërore të pa studiuara mirë, që sipas tij nuk përshtaten shpeshherë me realitetin në terren.
Ai ka deklaruar se shteti duhet të marrë përgjegjësi, pasi kjo situatë është krijuar për shkak të mungesës së planifikimit afatgjatë dhe koordinimit nga ana e autoriteteve
Postimi i plotë:
DHUNA DUHET NDËSHKUAR, POR KUSH E NDEZI SHKËNDIJËN E KONFLIKTIT NË KSAMIL?
🔷Së pari, dënoj me forcë dhunën e përdorur, pasi çdo mosmarrëveshje, pavarësisht natyrës, nuk zgjidhet kurrë me sherr e dhunë. Kjo është një pikënisje e qartë dhe e pandryshueshme.
🚨Por, le të thellohemi pak më shumë: kush e shkaktoi këtë konflikt në radhë të parë? Përgjigja na çon direkt te shteti dhe ligjet e tij. Që prej vitit të kaluar, hotelerive u është dhënë e drejta që të zotërojnë edhe çadrat e tyre në plazh. Kjo masë, ndonëse mund të ketë pasur synime të mira, la pas dore realitetin ekzistues.
👉Për 13 vite rresht, një lokal funksiononte, i cili ishte pajisur me leje në atë pjesë të plazhit për të vendosur cadrat, duke pasur një aktivitet të konsoliduar shumëvjecar me çadrat e tij.
👉Kur pronari i hotelit kërkoi lirimin e hapësirës (në zbatim të ligjit), u përball me “rezistencën legjitime” të pronarit të lokalit, i cili kishte një histori 13-vjeçare të përdorimit të lejuar nga shteti të asaj zone.
🆘Kjo situatë nxjerr në pah një problem serioz: “mungesën e planifikimit afatgjatë dhe koordinimit nga ana e autoriteteve”.
❓Si mundet që ligje të reja të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen pa marrë parasysh investimet dhe aktivitetet ekzistuese, të cilat janë zhvilluar pikërisht me bekimin dhe lejen e vetë shtetit? Kjo paqartësi dhe ndryshim i papritur i rregullave është një burim i vazhdueshëm konfliktesh dhe pasigurie për biznesin.
🇦🇱Është koha që shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shmangë krijimin e situatave të tilla ku qytetarët dhe bizneset detyrohen të bien ndesh me njëri-tjetrin për shkak të vendimeve të nxituara dhe të pakoordinuara. Dhuna në këtë rast ishte pasojë, por shkaku është shpeshherë më i thellë dhe kërkon zgjidhje politike dhe administrative.
