Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se duket që lëvizja palestineze Hamas do të çarmatoset, një nga hapat kyç të parashikuar në planin e tij për zgjidhjen e konfliktit në Gaza.
”Shumë njerëz thonë se ata nuk do të çarmatosen kurrë. Duket se do të çarmatosen”, u shpreh Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
Ai theksoi gjithashtu se Hamasi na ka ndihmuar me trupat, me riatdhesimin e tyre, dhe familja u është shumë mirënjohëse, duke iu referuar kthimit të eshtrave të pengut të fundit izraelit të 7 tetorit, Ran Gvili, për të cilin Izraeli zhvilloi dje një ceremoni funerale shtetërore.
Nga ana e tij, i dërguari special amerikan Steve Witkoff u shpreh i kënaqur duke thënë se “ne i kemi dëbuar terroristët prej andej dhe ata do të çmilitarizohen”.
“Ata do ta bëjnë këtë sepse nuk kanë zgjidhje. Do të dorëzohen. Do të dorëzojnë armët AK-47”, shtoi ai.
Një ditë më parë, Hamasi ishte shprehur i gatshëm për një “transferim të plotë të qeverisjes” së Rripit të Gazës sa më shpejt që të ishte e mundur.
