Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ndodhet sot në Moskë për bisedime të nivelit të lartë në Kremlin, ku pritet të zhvillojë një takim të rëndësishëm me Presidentin rus, Vladimir Putin. Zyrtari iranian deklaroi se do të ketë “diskutime serioze dhe të rëndësishme”, duke theksuar se në fokus do të jenë “sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta” që përballen të dy vendet.
Vizita vjen në një moment tensioni të lartë pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane – veprim i dënuar ashpër nga Rusia. Ambasadori rus në OKB deklaroi se Amerika kishte “hapur kutinë e Pandorës” me ndërhyrjen e saj ushtarake.
Megjithëse takimi me Putinin mund t’i sjellë Teheranit mbështetje të fuqishme politike, ndihma ushtarake nga ana e Rusisë duket e pamundur në këtë fazë. Prioriteti i Kremlinit mbetet lufta në Ukrainë dhe, ndonëse Rusia dhe Irani kanë një marrëveshje strategjike partneriteti, ajo nuk përfshin detyrime për mbështetje ushtarake.
Presidenti Putin ka deklaruar javën e kaluar se Irani nuk ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Moska dhe se Rusia nuk ka ndonjë nxitim për të ofruar një të tillë. Kremlini po përpiqet të balancojë marrëdhëniet e tij me Iranin, Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, veçanërisht nën administratën e Donald Trump.
Takimi mes Araghchit dhe Putinit pritet të ndodhë më vonë gjatë ditës së sotme.
