SHKODER – Konflikti mes dy personave për gërvishtjen e makinës ka degjeneruar deri në dhunë fizike. Ngjarja u shënua mesditën e djeshme rreth orës 13:40, në lagjen “Perash”, në qendër të qytetit të Shkodrës. Është dashur ndërhyrja e kalimtarëve për të shuar konfliktin.

Shoferi i njëri prej mjeteve, rreth 27 vjeç, ka nisur sherrin duke goditur me grusht drejtuesin e mjetit tjetër (25 vjeç), e më pas ky i fundit ka marrë në bagazhin e makinës një shkop bejsbolli dhe i ka thyer xhamin e pasmë të mjetit fuoristradë tip “Honda”. Kjo skenë ka zgjatur për disa minuta, ndërsa dy personat e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime në trup nga goditjet me sende të forta.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët blu, të cilët pasi kanë dërguar për mjekim në spital 25-vjeçarin, e kanë shoqëruar atë më vonë së bashku me shtetasin tjetër për në komisariatin e Shkodrës. Ata janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërsa policia është treguar tejet e rezervuar në dhënien e informacionit.

Megjithatë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që ka sekuestruar në vendngjarje në cilësinë e provës materiale disa sende në tokë që janë përdorur në momentin e sulmit mes dy agresorëve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: