ANKARA

Senati amerikan ka kaluar një buxhet prej 738 miliardë dollarë për Pentagonin, i cili përfshin sanksione të reja brenda gjashtë muajve kundër Sirisë, Iranit dhe Rusisë për “krimet e tyre të luftës” gjatë luftës civile siriane.

Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2020 u miratua dje me një votim dy-partiak me 86 kundrejt 6 votave pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar.

Projekt-ligji po ashtu përfshin një masë, të njohur si Akti i Mbrojtjes Civile Siriane të vitit 2019, që autorizon sanksione shtesë dhe kufizime financiare për institucionet dhe individët që bëjnë biznes me regjimin sirian.

“Presidenti do të vendosë sanksione ndaj personave të huaj që ofrojnë mbështetje të konsiderueshme ose që angazhohen në një transaksion të rëndësishëm me qeverinë siriane, forcat ushtarake ose kontraktorët që veprojnë në emër të Sirisë, Rusisë ose Iranit”, thuhet në projekt-ligj.

Projekt-ligji thekson se sanksionet përfshijnë bllokimin e transaksioneve financiare dhe të pronave, si dhe ndalimin e hyrjes në SHBA.

Po ashtu projekt-ligji thotë se “organizatat joqeveritare dhe aktivitetet që lidhen me sigurimin e ndihmës humanitare ose mbështetjen e institucioneve demokratike në Siri” janë të përjashtuara nga sanksionet.

Sipas projekt-ligjit, presidenti mund të pezullojë disa ose të gjitha sanksionet në kushte të caktuara nëse është në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare.

Projekt-ligji kërkon firmën e presidentit Donald Trump të bëhet ligj.

Siria që nga fillimi i vitit 2011 ka qenë e bllokuar në një luftë civile, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përpoq të shuaj me dhunë protestat pro-demokratike.

Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë të tjerë janë shpërngulur.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb