Kampionët në fuqi të Shqipërisë, Egnatia e Rrogozhinës, po përgatiten për një tjetër sfidë të rëndësishme në kampionat, atë ndaj Dinamos, në kushte që mund të konsiderohen perfekte. Për herë të parë pas disa javësh, stafi teknik i ka të gjithë lojtarët në dispozicion.

Për momentin nuk ka asnjë të dëmtuar dhe asnjë të pezulluar me kartonë, çka i jep trajnerit luksin e zgjedhjes dhe lirinë për të përzgjedhur formacionin më të përshtatshëm për këtë përballje.

KONKURENCA – Ende nuk dihet me siguri se cilët do të jenë titullarët e Tetovës, edhe pse pritet që ekipi fitues të mos ndryshohet. Konkurrenca për një vend në formacionin titullar është e fortë, gjë që ka sjellë një nivel më të lartë përqendrimi dhe përkushtimi në çdo ushtrim. Asnjë lojtar nuk ndihet i sigurt për vendin e tij dhe kjo ka krijuar një klimë të shëndetshme gare, ku çdo ditë është një provë për të treguar vlerat në fushë.

Futbollistët po i përgjigjen mirë kësaj situate, duke e kthyer rivalitetin në motivim dhe jo në presion. Për trajnerin, kjo është formula ideale: lojtarë të uritur për minuta, por një grup që ruan unitetin dhe frymën kolektive.

Në çdo repart ka alternativa të vlefshme, çka i jep stafit teknik mundësinë të lëvizë pa rënë në cilësi. Lojtarët e stolit po tregojnë se janë gati të hyjnë në çdo moment dhe të bëjnë diferencën, ndërsa titullarët janë të vetëdijshëm se asgjë nuk fitohet me emër, por me punë dhe vazhdimësi.

Pikërisht kjo konkurrencë e brendshme shihet si një nga sekretet që e mban Egnatian në nivele të larta përqendrimi dhe rendimenti. Situatë që kampionët do të përpiqen ta shfrytëzojnë edhe ndaj Dinamos këtë fundjavë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb